Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë pas takimit me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, se nuk mund të ketë normalizim pa u përmbushur parakushti i vënë nga ai, e që është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Në javën kur është planifikuar të mbahet takimi në Ohër mes Kurtit e Vuçiqi, diplomatët evropianë, Borrell e Lajçak, do t’i takojnë edhe liderët e rajonit
Parakusht për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq pas takimit me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak.
Me gjithë angazhimin e diplomatit evropian që palët të pajtohen rreth udhërrëfyesit për zbatimin e propozimit të BE-së, Vuçiqi e ka vënë sërish theksin tek Asociacioni.
“Në takim është biseduar për Propozimin evropian, për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe hapa të tjerë të nevojshëm që synojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet serbëve e shqiptarëve. Presidenti Vuçiq ka theksuar se Serbia është duke punuar me përgjegjësi dhe është e përkushtuar për të negociuar për të arritur kompromis dhe zgjidhje të qëndrueshme që është e nevojshme për një jetë normale dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët, me kufizime të përcaktuara qartë”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Serbisë
Më 9 e 10 mars, emisari Lajçak takoi liderët institucionalë dhe politikë të Kosovës, prej ku tha se pritjet e tij nga Prishtina u përmbushën.
Veç Prishtinës e Beogradit, emisari Lajçak dhe shefi i tij, Joseph Borrell, planifikojnë takime edhe me liderë të rajonit.
Lajçaku ka pasur një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm grek, Nikolas Dendias, të cilin e ka njoftuar për zhvillimet rreth dialogut Prishtinë-Beograd.
Ndërkaq përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Borrell, këtë javë do të vizitojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Fillimisht, ai do të ketë takime me krerët e qeverive të këtyre dy shteteve, në kuadër të Këshillit të Stabilizim-Asociimit. Ndërkaq, më 18 mars do të mbahet takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Leave a comment