Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media ka folur për takimin e 18 marsit në Ohër, procesin e dialogut, “ofertën bujare” që i kishte bërë Vuçiqit në takim, si dhe deklaratën e emisarit sllovak, Mirsolav Lajçak lidhur me “vetëmanexhimin”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
I pari i Qeverisë gjatë ditës së sotme para gazetarëve ka folur për deklaratën e emisarit sllovak, Miroslav Lajçak, i cili dje tha se vetëmenaxhimi nënkupton krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Por, siç tha kryeministri i vendit, në Marrëveshje, në pikën e shtatë flitet për vetëmenaxhimin e komunitetit serb dhe jo të komunave, dhe këto të dyja sipas tij nuk bën të barazohen.
Lidhur me takimin e 18 marsit në Ohër, Kurti foli edhe për atë që e quajti ai gjatë ditës së djeshme “ofertë bujare” që i kishte bërë presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, e që ky i fundit e kishte refuzuar.
I pari i Qeverisë tha para gazetarëve se ka bërë ofertën konkrete në takim, ku sipas tij duhej të pranoheshin tri shtylla bazike.
“Për formulimin e vetëmenaxhimit të komunitetit serb në njerën anë, dhe marrëveshjet që kemi trashëguar. Unë kam bërë një ofertë konkrete duke ju thënë “nëse pala serbe është dakord që të pranoj le të themi tri shtylla bazike, Kushtetutën, Aktgjykimin e Gjykates Kushtetuese në njerën anë, dhe një qëndrim të Brukselit dhe Washingtonit, mbi atë çfarë është dhe nuk është Asociacioni, ju kam thënë nëse janë dakord me këtë premis, jam i gatshëm ta shkruaj draftin e propozimit, por duhet njeherë të pajtohen me premisën, por ska pasur dakordim të përfillen këto shtylla. Pra tri shtyllat bazike janë Kushtetuetshmëria dhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, Qëndrimi i Washingtonit dhe qëndrimi i Brukselit. Me këto tri shtylla u kam thënë ua sjell statutin si draft. Ishte ofertë gjeneroze, e parimore që nese do të pranohej si premisë, do të merrja barrën e 19 marsit, por është refuzuar premisa, dhe nuk mund të sjell propozim pa u pranuar premisa”, tha Kurti.
Por, në këtë konferencë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti akuzoi Serbinë se përveçse nuk po zbaton marrëveshjet e deritanishme me Kosovën, tashmë po bën edhe deklarata që e shkelin atë që u arrit në takimet në Bruksel e Ohër.
“Të gjitha këto marrëveshje janë një grumbull i madh që i kemi trashëguar e të cilat mbi 2/3 nuk i zbaton Serbia. Tash pajtohem siç e keni lexuar edhe ju aneksin do të duhej kjo që të ndodhë. Ne jemi të brengosur që ndërkohë që nuk ka zbatim të zotimeve të mëhershme, ka edhe deklarata që shkelin tekstin edhe të 27 shkurtit edhe kësaj që u shtua në Ohër si aneks më 18 mars”, tha ai.
Por, se dialogu nuk është në top prioritet e tij, e tha sërish kreu i ekzekutivit, e siç theksoi ai “as për nga vëllimi as për nga intensiteti”.
Sa i përket kësaj çështje, Kryeministri ia barti këtë kompetencë zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi.
“Nuk është top prioritet në angazhimet e mia, as për nga vëllimi, as për nga intensiteti. Ju nuk e dini se çfarë bëjë unë tërë ditën dhe nëse shihni angazhimet për ekonomi, arsim, shëndetësi, infrastrukturë, pakicat e tjera, për financat, komunat, angazhimet ndërkombëtare për marrëdhëniet bilaterale me shtetet e tjera, vëllim gjigand është i punës kjo. Mund të ju duket juve, por unë e përjetoj. Nëse e shihni nga angazhimi im, ditor, mujor e javor, nuk është dialogu top prioritet. Unë në vikend isha në Ohër. Tash nuk jam në Ohër dhe merrem me punët e tjera. E kemi zëvendëskryeministrin e cili e ka dialogun pjesë të portofolit, por jo para integrimeve evropiane”, tha Kurti.
Leave a comment