Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, të shtunën do të mbajë një tubim zgjedhor në Teksas, në një vend për të cilin kritikët thonë se do të pritet mirë nga përkrahësit e tij të së djathtës ekstreme, kur miliarderi po mundohet ta fuqizojë fushatën e njollosur nga rreziku për ngritje të aktakuzave.
Në atë që ish-presidenti e ka paraqitur si tubimin e parë të madh për garën e vitit 2024 për president, Trumpi u ka bërë thirrje përkrahësve që të grumbullohen në një aeroport në Waco të Teksasit, raporton agjencia “Reuters”.
Në Waco po shënohet 30-vjetori i bastisjes së agjentëve federalë ndaj një sekti religjioz të quajtur “Branch Davidians”, e cila kishte rezultuar në vdekjen e 86 personave, përfshirë katër pjesëtarë të forcave për sundimin e ligjit. Disa ekstremistë të së djathtës e shohin këtë bastisje si moment themelor të tejkalimit të kompetencave qeveritare.
Një zëdhënës i fushatës së Trumpit tha se Waco është zgjedhur si vend për tubim, sepse shtrihet mes disa qendrave të rëndësishme të popullsisë dhe se e ka infrastrukturën për ta organizuar tubimin.
Trumpi ballafaqohet me rritje të rrezikut për aktakuza nga një varg hetimesh që janë duke vazhduar, përfshirë një në Manhattan rreth dyshimeve për dhurimin e të hollave një aktoreje të filmave për të rritur gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016,thekson Nacionale
Ish-presidenti është munduar që ta paraqesë këtë rast si të motivuar politikisht, ka grumbulluar të holla prej tij dhe i ka përdorur ato për të mbledhur përkrahës në anën e tij. Të premten, ai bëri një paralajmërim të ashpër, duke thënë se vendi ballafaqohet me “vdekje e shkatërrim”, nëse ndaj tij ngrihet aktakuzë për krim.
Përpos prokurorëve, ka gjasa që Trumpi ta vërë në shënjestër me kritika edhe guvernatorin e Floridës dhe rivalin e tij të mundshëm brenda Partisë Republikane, Ron DeStanis. Guvernatori ende nuk e ka shpallur kandidaturën për nominimin nga partia, por i ka shkaktuar Trumpit zemërim.
Leave a comment