Lajme

Toka po përpin qytezën e shenjtë në Indi

Vendi i shenjtë për besimin hindu, Joshimath, është shndërruar në një zonë katastrofe. Prej muajsh banorët kanë protestuar ndaj punimeve për ndërtimin e një hidrocentrali aty pranë, duke paralajmëruar për pasojat që do t’i sillte komunitetit të tyre. Tashmë godinat me disa kate kanë pësuar krisje, ndërsa rrugët kanë marrë të çara të mëdha. Mbi 850 shtëpi janë bërë të pabanueshme.

Prej muajsh rreth 29 mijë banorët e qytezës indiane Joshimath, një vend i fshehur në Himalaja dhe që adhurohet nga pelegrinët hindu dhe sikh, kanë parë se si toka po përpin dalëngadalë komunitetin e tyre.

Ata kanë bërë thirrje më kot për ndihmë dhe në janar çështja e tyre u ndërkombëtarizua. Por, tashmë qyteza Joshimath është bërë një zonë shkatërrimi. Hotelet me disa kate janë anuar; të çarat në rrugë qëndrojnë të hapura. Mbi 850 shtëpi janë bërë të pabanueshme, dhe në vend të ndihmave, këtu erdhën buldozerët për të rrafshuar pjesë të mëdha të qytezës.

I ndodhur në një lartësi prej 1890 metrash mbi nivelin e detit, qyteza Joshimath thuhet se ka fuqi të veçanta shpirtërore. Ndërsa vizitorët vazhdojnë të kalojnë përmes qytezës, rreth 240 familje janë detyruar tashmë të largohen.

“Ky është kryeqyteti shpirtëror i hinduizmit që prej 2500 vitesh, për të gjithë Indinë veriore. Pra, duhet të mbrohet. Si me trupin tonë, nëse ndonjë nga gjymtyrët pritet ose nuk funksionon, ne mund të vazhdojmë të jetojmë megjithëse të gjymtuar. Por, nëse diçka i ndodh trurit, atëherë do të jetë shumë e vështirë për trupin që të funksionojë. Pra, Joshimath është truri për të gjithë veriun, prandaj mbrojtja e tij është jashtëzakonisht e rëndësishme”, thotë Brahmachari Mukundanand, prift në tempullin Adi Shankaracharya.

Banorët kanë protestuar kundër ndërtimit të një hidrocentrali. Vendasit thonë se shpërthimet për ndërtimin e një tuneli në një distancë prej rreth 12 kilometrash, janë shkaku i rrënimit të shtëpive të tyre.

“Për 17-18 vitet e fundit kemi ngritur zërin vazhdimisht ndaj projektit të hidrocentralit, dhe sot për shkak të këtij projekti qyteti historik Joshimath është në prag të shkatërrimit, në frymën e tij të fundit. 22 mijë banorët jetojnë me frikë dhe tmerr. Përballen me katastrofën dhe nuk dinë çdo të ndodhë. E kemi thënë vazhdimisht se kjo është një katastrofë që vazhdon të zhvillohet. Çdo ditë zgjerohen dhe shtrihen çarjet”, thotë Atul Sati, anëtar i komitetit “Shpëtoni Joshimath”.

Një komision ekspertësh ende po heton shkakun, por zyrtarët e shtetit thonë se është faji i një sistemi kanalizimesh me probleme. Duke injoruar paralajmërimet e ekspertëve, autoritetet kanë vazhduar me projekte të kushtueshme në këtë rajon, ku përfshihet edhe një autostradë e gjatë.

“Janë krijuar shumë zona të tjera të rrezikuara si rezultat i ndërtimit të rrugës Char Dham. Dhe qëllimi kryesor është që të sillen turistët drejt tempujve që gjendet në rajonin e Himalajave, dhe kjo është pjesa e rrezikuar e Himalajave”, thotë aktivisti mjedisor Ravi Chopra.

Autoritetet thonë se kërkesa në rritje për vizitorë kishte mbingarkuar infrastrukturën ekzistuese. Një autostradë me gjatësi 889 kilometra, si dhe një hekurudhë prej 327 kilometrash do të kalojnë përmes maleve.

Banorët përgjatë rrugës, gati 100 kilometra larg qytezës Joshimath, frikësohen se dëmi nga çarjet mund të ndodhë edhe në shtëpitë e tyre.

“Jemi të trazuar, si njerëzit në Joshimath. Këto punime që bëhen për hekurudhën; nëse gërrmon malin, toka do të rrëshkasë. Kjo mund të ndodhë kudë. Siç ndodhi atje, mund të ndodhë edhe këtu. Nuk kemi siguri këtu. Jemi të frikësuar”, thotë Sangeeta Krishali, banore në Lachmoli.

Me punimet e rënda që nevojiten për hidrocentralin, si hedhja në erë e shkëmbinjve, ndryshimi i rrjedhës së lumit dhe prerja e pyjeve, në një rajon që është tashmë duke përjetuar pasojat edhe nga ndryshimi klimatik, ekspertët paralajmërojnë se mund të shkaktohen dëme të pariparueshme.

Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Articles

activeBallinaLajme

Kurti: Po punojmë pa u lodhur çdo ditë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e të gjithëve

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova e rikonfirmon përkushtimin e saj...

activeBallinaLajme

Tentim vrasje në Pejë, policia jep detaje

Të shtunën pas mesnate rreth orës 01:25 ka pasur të shtëna me...

Lajme

FOTO: Katër sekrete për një fizik të jashtëzakonshëm nga Jennifer Aniston

Jennifer Aniston ka zbuluar së fundmi për mediat se çfarë gjërash bën...

Lajme

A janë të dobishme thashethemet në punë? Ja si duhet ti trajtoni bisedat me kolegët dhe të shmangni keqkuptimet mes jush

Le ta pranojmë të gjithë, thashethemet konsiderohen kripa dhe piperi i vendit...