Kanë mbetur edhe pesë ditë nga takimi në Ohër mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, me ftesë të Përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell si dhe të Dërguarit të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Gjatë ditës së djeshme, në një video-mesazh për edicionin e 11 të Forumit të Mannheimit, kryeministri i vendit, Kryeministri Kurti foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, dhe Propozimin evropian për normalizim të marrdhënieve, duke ju referuar edhe takimit të 18 marsit në Ohër.
Kurti tha se shpreson që refuzimi i Serbisë për ta nënshkruar marrëveshjen, nuk është indikacion që nuk pajtohen me përmbajtjen.
“Në takimin trilateral në Bruksel më 27 shkurt, ofrova të nënshkruaj marrëveshjen bazë në emër të Republikës së Kosovës. Fatkeqësisht presidenti i Serbisë refuzoi. Refuzimin, ai e bëri publik pasi doli nga takimi. Javën e ardhshme ne përsëri do të takohemi në Ohër, në Maqedoninë e Veriut. Unë shpresoj që refuzimi i Serbisë që ta nënshkruaj propozimin në Bruksel nuk është indikacion që ata nuk pajtohen me përmbajtjen. Çdo ditë ne dëshmojmë kreativitetin dhe konstruktivitetin. Ne besojmë që marrëveshja bazë mes Kosovës dhe Serbisë përbën avancimin drejt njohjes reciproke mes dy shteteve. Ne besojmë që normalizimi i plotë i raporteve kërkon njohjen e tillë, si copa qendrore e marrëveshjes”, tha ai në një video të publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë.
Leave a comment