Kryeministri i vendit, Albin Kurti, priti sot në takim, emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Kryeministria njofton se në takim u diskutua mbi përgatitjet për ballafaqimin e radhës për dialogun, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për çka Kurti ka thënë se Kosova do të jetë konstruktive, përcjell gazeta online Reporteri.net.
“Në takim u diskutua për përgatitjen e takimit të nivelit të lartë të caktuar për datën 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Kryeministri Kurti theksoi gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë që të jetë një palë konstruktive, e përgjegjshme dhe e përkushtuar në parimet e demokracisë liberale e të vlerave të Bashkimit Evropian”, thuhet në komunikatë.
Kryeministri Kurti është shprehur optimist se në takim në Ohër, do të dakordohet mbi aneksin e implementimit dhe se marrëveshja e arritur në Bruksel do të nënshkruhet.
“Në këtë frymë, ai gjithashtu shprehu pritshmërinë e tij që Bashkimi Evropian të punojë në drejtim të përmbylljes së suksesshme të procesit të Marrëveshjes për Normalizim përmes nënshkrimit zyrtar të saj në takimin e radhës”.
Për takimin e sotëm Kurti-Lajçak në Prishtinë, është deklaruar edhe vetë emisari i BE-së.
Lajçak njoftoi se kjo vizitë, qëllim kryesor pati që BE të dijë se ku qëndron dhe si e sheh Kosova procesin e implementimit të propozimit evropian, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ai tregoi se takimi ishte frytdhënës, dhe se Kurti i ka dhënë më shumë informacione mbi qëndrimin e tij në këtë proces.
“Qëllimi kryesor i vizitës është të marr informacione se si e sheh Kosova implementimin. Dhe ky takim i ka përmbushur pritshmëritë e mia në këtë kontekst. Tash di më mirë se cilat janë pritshmëritë edhe të Kosovës për implementimin”, deklaroi Lajçak para mediave. /
Leave a comment