Për lirimin e ndërteses në lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, që shfrytëzohet nga strukturat paralele të Serbisë, është aktivizuar inspektorati komunal.
Inspektorati kërkon lirimin e saj dhe afati është deri më 25 gusht.
Komuna e Mitrovicës së Veriut sqaron se afati për lirim të objektit është tri ditë.
Komunës nuk i është ofruar dokumentacion mbi bazën e të cilit është shfrytëzuar ky objekt.
“Afati prej 3 ditësh përfundon ditën e premte, data 25.08.2023. Vendimi i kryetarit do të zbatohet nga zyrtarët e komunës së Mitrovicës Veriore”.
Më pas, komuna sqaron se do të ketë intervenime për rregullimin e objektit.
Punëtorët e strukturave paralele të Serbisë po vazhdojnë të punojnë edhe të enjten në këtë objekt.
RTK ka provuar të marrë një përgjigje prej tyre por të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, e as nuk na kanë lejuar të futemi brenda objektit.
Të premten është afati i fundit për ta liruar objektin.Thekson gazetaexpress
Nga Lista Serbe, përmes një deklarate, kanë bërë të ditur se punonjësit e institucioneve të Serbisë janë njoftuar se duhet të largohen nga objekti brenda tri ditësh.
“Pas ftesës së komunitetit ndërkombëtar që kryetarët e paligjshëm të komunave të punojnë nga lokacione alternative, ata shkuan një hap më tej dhe duan të na i marrin edhe hapësirat tona”.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë tha të mërkurën se vendimi i autoriteteve lokale në Mitrovicë të Veriut për largimin e institucioneve serbe nga ndërtesa komunale në Lagjen e Boshnjakëve nuk është marrë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, e as në përputhje me kërkesat e saj për mosndërmarrjen e veprime që mund ta përshkallëzojnë gjendjen.
Bashkimi Evropian (BE) tha të enjten se vendimi i Komunës së Mitrovicës së Veriut, për ta kërkuar lirimin e një ndërtese komunale nga personat që punojnë për administratën e Serbisë, është në kundërshtim me përpjekjet për deeskalimin e situatës dhe uljen e tensioneve në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.
Më 22 gusht, autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut – një nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – i dorëzuan nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, një raport ku thuhet se institucionet serbe duhet ta “lirojnë” objektin e tyre brenda tri ditësh.
Zëdhënës i BE-së, Peter Stano, tha për media më 24 gusht se “ne jemi të shqetësuar për ndikimin që do ta kenë në situatën e sigurisë vendimet e fundit të administratës së Komunës së Mitrovicës së Veriut për përdorimin e hapësirës dhe ndërtesave publike dhe komunale“.
Ai i ka përsëritur kërkesat që të ketë bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë për të gjitha vendimet që mund të kenë ndikim në situatën e brishtë të sigurisë në veri të Kosovës, dhe që kjo çështje të adresohet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
“Rasti me këtë vendim nuk ka qenë i tillë. Çështja e strukturave të udhëhequra nga Serbia duhet të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe duhet të zgjidhet në kontekstin e themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe“ tha ai.
Stano i përsëriti qëndrimet e mëhershme të BE-së se zgjedhjet komunale në veri të Kosovës, edhe pse ishin zhvilluar sipas kornizës ligjore të Kosovës, për shkak të pjesëmarrjes shumë të ulët, nuk dhanë zgjidhje afatgjate.
“Është e ëndësishme që të organizohen sa më parë zgjedhje inkluzive lokale në të cilat serbët e Kosovës do të marrin pjesë pa parakushte”, nënvizoi ai.
Në ndërtesën e kontestuar janë të vendosura katër institucione që financohen nga Qeveria e Serbisë: Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria dhe Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës.
Në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kryetarët shqiptarë kanë marrë pushtetin në fund të majit, ndërsa në ndërtesat komunale kanë hyrë me ndihmën e policisë.
Leave a comment