Komisioneri i Zgjedhjeve i dha 48 orë grupimit të Alibeajt që të sjellë autorizimin me firmën e Lulzim Bashës për zgjedhjet e 14 Majit për t’u regjistruar si subjekt elektoral.
Por, ditën kur skadon afati, përfaqësuesi ligjor i ka bërë të ditur në mënyrë shkresore se një dokument i tillë nuk do të mbërrijë asnjëherë në KQZ. Në letrën e firmosur nga Indrit Sefa, i rikujtohet Celibashit se Lulzim Basha ka dhënë dorëheqjen dhe dokumenacioni i dorëzuar për ta është i plotë dhe në përputhje me kërkesat ligjore, ndaj kërkojnë të procedohet me regjistrimin e PD në zgjedhje.
“Partia Demokratike nuk depoziton asnjë akt shtesë, dokumentacioni është i plotë. Komisioneri mos të presë orën 12 të natës, por të japë një vendimmarrje tani.
Komisioneri la të kuptohet se nuk ndryshon asgjë në qëndrimin e KQZ-së dhe rikujtoi se afati përfundon në mesnatë.
“Unë do të pres përfundimin e afatit 48 orësh dhe më pas do të flas, për të plotësuar dokumentacionin që në bindjen time është i mangët.”
Ndërkohë përfaqësuesit ligjorë të Sali Berishës kanë dorëzuar një ankimim në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve për vendimin e komisionerit për të mos i regjistruar në zgjedhje.
“Kundërshtimin e vendimit të Komisionerit shtetëror të zgjedhjeve të datës 9.03.2023. Ndryshimin e vendimit duke vendosur regjistrimin e partisë Demokratike të përfaqësuar nga Sali Berisha si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e 14 Majit.”
Ankimim në KAS pati premtuar edhe grupi i Alibeajt, por është në pritje të vendimit përfundimtar të KQZ.
Nga ana tjetër, KQZ emëroi të Premten listën e grupimit të Alibeajt për anëtare të KZAZ. Kjo është një procedurë ligjore, sipas Celibashit, për të mos penguar punën e KZAZ-ve.
Leave a comment