Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, e ka cilësuar hap me rëndësi jetike për rajonin, dakordimin e Kosovës dhe Serbisë rreth përmbajtjes së propozimit evropian, të hënën në Bruksel.
Ai ka thënë se Shkupi do t’i presë liderët e dyja vendeve më 18 mars, që është përmendur si datë për takimin e ardhshëm mes krerëve, e potencialisht edhe datë për nënshkrim të marrëveshjes, që s’u nënshkrua dje.
Në një shkrim në Facebook, Grubi ka thënë se Shkupi pret që dialogu të vazhdojë deri në finalizim me njohjen e ndërsjellë.
“Nuk mund të cilësohet ndryshe përveç se një hap me rëndësi jetike për stabilitetin e mbarë rajonit , dakordimi i dyanshëm rreth përmbajtjes së propozimit franko – gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Përgëzoj palët për largpamësinë dhe racionalitetin e treguar përtej dallimeve dhe impaktin e jashtëzakonshëm konstruktiv të 🇺🇸 dhe 🇪🇺 për ardhmërinë europiane të mbarë Ballkanit Perëndimor. Është koha të mbyllim armiqësitë dhe së bashku të hapërojmë drejt Europës dhe të shkruajmë kapitullin e ri të progresit. Shkupi do të mirëpresë krahëhapur më 18 mars liderët e të dyja vendeve dhe vazhdimin e dialogut deri në finalizimin e tij me epilog njohjen e ndërsjellë”, ka thënë ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u deklarua se të hënën ishte i gatshëm të nënshkruante propozimin evropian, por se këtë nuk e bëri pala tjetër. Në Bashkimin Evropian kanë bërë të ditur se për përmbajtjen ka pajtim, por se duhet të diskutohet për implementimin e planit.
Leave a comment