Senatorë amerikanë kanë përshëndetur zhvillimet e fundit në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, si rrjedhojë e takimit të së hënës në Bruksel, mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë.
Jeanne Shaheen, kryetar, dhe Pete Ricketts, anëtar i Rangut i Nënkomitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit për Evropën dhe Bashkëpunimin Rajonal të Sigurisë, thanë se dakordimi i arritur në Bruksel i hap rrugë Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkim Evropian.
Kësaj deklarate, i janë bashkëngjitur edhe senatorët tjerë amerikanë, si Thom Tillis, Chris Murphy, Ron Johnson dhe Chris Van Hollen.
“Ne i përgëzojmë qeveritë e Serbisë dhe Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje të përkohshme për normalizimin e marrëdhënieve. Ky është një moment i rëndësishëm për të dy vendet. Ky përparim mund të zhbllokojë mundësi të rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë, të cilat përfshijnë ndjekjen e anëtarësimit në BE dhe rritjen e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor dhe në mbarë botën”, thanë senatorët, transmeton Klan Kosova.
Tutje, ata kanë kërkuar që tash fokusi të jetë drejt arritjes së një dakordimi për aneksin e zbatimit të marrëveshjes, që, sipas senatorëve, implikon tërë Ballkanin Perëndimor.
“Sidoqoftë, të dy liderët tani duhet të bashkohen dhe të arrijnë një marrëveshje për aneksin e zbatimit, i cili do të sigurojë një udhërrëfyes për normalizimin midis dy vendeve. Marrëveshja dhe aneksi i zbatimit kanë implikime të rëndësishme për rajonin më të gjerë – Ballkanin Perëndimor – ku ne e dimë se Putini po kërkon të minojë unitetin transatlantik dhe të zgjerojë ndikimin rus. Demokratët dhe republikanët në Senat janë të përkushtuar që të punojnë me qeveritë e Kosovës dhe Serbisë ndërsa finalizojnë aneksin e zbatimit dhe të avancojnë prioritetet që do të sjellin paqe, stabilitet dhe prosperitet në rajon”, potencohet në këtë letër.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u pajtuan të hënën në Bruksel për ta çuar para procesin e dialogut përmes pranimit të propozimit të Bashkimit Evropian, ndonëse i njëjti nuk u nënshkrua nga të dy liderët.
Propozimi, i cili edhe është bërë publik për herë të parë, përmban gjithsej 11 nene. Pos marrëveshjes bazë, propozimi përmban edhe planin e zbatimit.
Takimi i radhës i Nivelit të Lartë është paraparë të zhvillohet më 18 mars në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Ndërmjetësues do të jetë Komisioneri Evropian për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell. Ai pritet të zhvillojë vizitë në rajon, me ç’rast do t’ua kushtojë një pjesë të kohës liderëve të Kosovës dhe Serbisë.
Leave a comment