Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka thënë se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Sipas tij, ky është qëndrimi i Francës dhe kjo është arsyeja se pse Franca ka vënë shumë kapital politik në propozimin franko-gjerman, teksa tha se “jo vetëm që është propozim, por veprim diplomatik evropian dhe ka materializuar këtë marrëveshje të Ohrit.
“Ne duam që BE-ja të vazhdojë të jetë funksionale. Më falni, është keq të them, por nuk mund ta imagjinoni me arrogancë, por BE-ja, legjislacioni i saj, themelet e saj janë të lidhura nga afër me ekonominë e të gjitha shteteve tona dhe veçanërisht shtetet themeluese, jo sepse jemi themelues, por sepse ne kemi qenë në BE për një kohë shumë të gjatë, pra një BE jofunksionale do të çonte në probleme të thella për ne, për Gjermaninë, për të gjitha shtetet që janë anëtare të BE-së”, tha ai në Rubikon.
Më tej, Guerot tha se ata e duan një Bashkim Evropian funksional me probleme jashtë, teksa shtoi se “ne duam që Kosova të jetë brenda dhe problemet të jenë jashtë”.
Ndërsa, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka cituar kancelarin gjerman, Olaf Scholz, i cili vitin e kaluar tha se është e paimagjinueshme që BE-ja të pranojë shtete që nuk e njohin njëra-tjetrën.
“Pra të dyja palët e dinë se duhet të ketë normalizim të plotë, propozimi origjinal franko-gjerman u vendos në tavolinë për ta përshpejtuar normalizimin dhe ju keni njohje de-facto, por jo de-jure dhe duhet të arrijmë aty në fund, sepse qëllimi final është të pranoheni në BE”, tha Rohde, njofton Klankosova.tv.
E, për të arritur deri tek njohja de-jure, Rohde tha se duhet lëvizur shumë shpejt si në rastin e dy Gjermanive.
“Natyrisht, këtë e ka thënë edhe kancelari im, si mund të pranosh shtete që nuk e njohin plotësisht njëra-tjetrën, por në të ardhmen e afërt na duhet të lëvizim shumë shpejtë në marrëdhëniet tona si dy-Gjermanitë në vitet e 90-ta, 70-ta dhe 80-ta, dhe e dini kjo është e bukura e propozimit që është tani propozim evropian dhe e dini, për t’u kthyer aty na duhet fillimisht shtensionimi i menjëhershëm”, tha ai.
Leave a comment