Nga: Shpendi Topollaj
Dekadat e shembjes së diktaturës së egër komuniste, kanë qenë më se të mjaftueshme për ta bindur çdo shqiptar se 4 Korriku i vitit 1776, dita kur u miratua Deklarata e Pavarësisë së atij vendi – për të cilin kapiteni i famshëm Xhon Smith do të pohonte se “Qielli kurrë s’ishte marrë vesh aq mirë me tokën, për t’i bërë vend njeriut për të jetuar” – është një ngjarje që për nga rëndësia historike i kalon qartazi kufijtë e ShBA-së. Perspektivat e paimagjinueshme që çelte kjo ngjarje, ndofta më me mençuri i shprehu në mënyrë metaforike Beniamin Franklini, i cili njëmbëdhjetë vjet më pas, teksa ndodhej në sallën ku prej gjashtëmbëdhjetë javësh debatohej rreth Kushtetutës që do të sanksiononte përfundimisht këtë pavarësi, do të deklaronte mes heshtjes imponuese të këtij çasti, duke drejtuar dorën nga gjysmë dielli i shpinores në karrigen ku ishte ulur Uashingtoni: “Gjatë gjithë kësaj kohe, në luhatjet mes shpresës dhe frikës për këtë që po bënim, shihja pikturën prapa presidentit dhe s’e gjeja dot nëse dielli po lindte apo po perëndonte, por më në fund jam i lumtur që po zbuloj se ai është një diell duke lindur dhe jo duke perënduar”.
Shkëputja e plotë e Amerikës nga Anglia, kishte filluar qysh nga viti 1763, pra më se një shekull e gjysmë pas krijimit të kolonisë së parë të qëndrueshme në Xheimstaun të Virxhinias, pa lënë mënjanë konstatimin e presidentit të dytë të Shteteve të Bashkuara, Xh. Adams, se “Revolucioni u krye para se të fillonte. Ai ishte në mendjet dhe zemrat e popullit”. Pavarësia gjithmonë e më e madhe e kolonive, po i shkëpuste ato pak e nga pak nga sundimi britanik, duke i shndërruar më shumë në “amerikane” sesa në “angleze”. Kur mbretërit anglezë, të angazhuar në luftëra të brendshme që çuan në revolucionin e puritanëve, u kujtuan për to, ishte tepër vonë. Qe më se normale që njerëz nga kombësi dhe kultura të ndryshme, edhe të mendonin ndryshe, siç ishte e kuptueshme gjithashtu që shkëputja e plotë e kolonive erdhi pas përplasjeve e mosmarrëveshjeve, sidomos mes guvernatorëve të emëruar nga mbreti dhe asambleve të zgjedhura nga populli, të cilat synonin lënien pas dore të praktikave të mëparshme, të cilat konsideroheshin të tejkaluara.
Amerikanët fituan se guxuan të ngrenë me kurajë zërin e protestës për t’iu kundërvënë asaj që u quajt ligji i sheqerit, i melasës për prodhimin e rumit, atë të monedhës dhe së fundit atë të vulës, çka çoi në krijimin nga personalitete të shquara, të organizatës “Bijtë e Lirisë”, të cilët së bashku me opozitën politike, sensibilizuan dhe ngritën në këmbë turmat nëpër rrugët e Bostonit, gjersa të mbledhur në një kongres, në tetor të 1765 në Nju-Jork, do të shpallnin se “kolonitë s`kishin pranuar kurrë dhe s`do të pranonin asnjë tatim të vendosur me dekret, përveç atyre që miratoheshin nga organet e tyre ligjvënëse”. Ky qëndrim patriotik çoi më vonë në masakrat e Bostonit, që filluan pasi njerëzit goditën me topa bore mbi këmishëkuqtë, në mbasditen e çajit në Boston, ku natën e 16 dhjetorit 1773, një grup burrash i drejtuar nga tregtari i dështuar, por politikani i aftë Samuel Adams, u futën në tri anije angleze të veshur si indianë mohakë dhe hodhën në det çajin e bojkotuar, dhe në sulmin e trupave të gjeneralit Tomas Gejxh, më 18-19 prill 1775, kundër banorëve të fshatit Leksington, ku anglezët patën tri herë më shumë humbje se kolonët. Ky moment kaq i rëndësishëm, lartësoi emrat e burrave të tillë si Tomas Xhefersoni, Xhon Dikinsoni etj. që deklaronin pa u trembur se “më mirë të vdesim të lirë sesa të jetojmë si skllevër”.
Ai nxori në dukje cilësitë prej propagandisti të zjarrtë të Tomas Penit dhe vlerat e talenteve ushtarake të komandantëve heroikë si Xhorxh Uashingtoni e deri Riçard Henri Li, i cili paraqiti një muaj pas miratimit të rezolutës për “prerjen e nyjës gordiane”, idenë jo vetëm të pavarësisë dhe aleancës me shtetet e tjera, por edhe të krijimit të një federate amerikane.
Rëndësia e Deklaratës së Pavarësisë së 4 Korrikut, nuk qëndron thjesht te lindja e një kombi të ri, por edhe të një kuptimi krejt të ri të lirive të individit, çka do të bëhej dhe faktor kryesor i zhvillimit në tërë shoqërinë njerëzore. Esenca e botëkuptimit të ri filozofik, me pak fjalë, shprehet në atë që thuhet aty: “Shpallim se këto të vërteta janë absolute: të gjithë njerëzit janë të barabartë. Zoti u ka dhënë të drejta të patjetërsueshme si jetën, lirinë dhe lumturinë. Shpallim se për sigurimin e këtyre të drejtave, njerëzit krijojnë qeveritë e tyre, pushteti i të cilave varet nga miratimi i të qeverisurve, në çastin kur një qeveri nuk u shërben më këtyre qëllimeve, populli ka të drejtë ose ta ndryshojë ose ta shpërndajë, duke krijuar një qeveri të re e cila do të bazohet në këto parime dhe do të organizohet në mënyrë të tillë që t’i garantojë popullit siguri dhe lumturi”. E gjithë koha që ka kaluar qysh kurse u thanë këto fjalë lapidare, ka vërtetuar drejtësinë e tyre dhe vetë Amerika u bë vendi ku gjeti shprehjen e saj ai postulati romak “E pluribus unum”, pra, të ndryshëm por të njëjtë. Ajo u bë vendi ku të gjithë para ligjit janë të barabartë dhe ku ata nuk mund të diskriminohen për shkak të etnisë, fesë, ideve apo racës.
Si vetë zhvillimi i pashembullt ekonomik i ShBA-së, edhe skalitja e kulturës civile amerikane, ka udhëtuar ndër vite përmes një rruge aspak të lehtë. Ajo lindi për të vënë piketat e një kulture të tillë, ku ka një konsensus të rëndësishëm për legjitimitetin e institucioneve politike, për orientimin e politikës publike, për një hapësirë të re në tolerancën e personalitetit të interesave, për besimin në pajtueshmërinë e tyre, në besimin e ndërsjellë midis qytetarëve etj. Patriotizmi tipik amerikan rritet çdo ditë pikërisht nëpërmjet ushtrimit të të drejtave civile të shtetasve dhe vetë ligji mbi të drejtat civile do të bëhej shumë shpejt pararendësi i legjislacionit të sotëm për të drejtat civile.
Është vështirë të gjendet sot në gjithë planetin një njeri i vetëm, i cili, duke pasur qoftë edhe fare pak moral qytetar dhe nder politik, të mos pranojë dhe admirojë zhvillimet e pakrahasueshme të ShBA-së që nga fusha industrialo-bujqësore, shkencore, kulturore, ushtarake e deri sportive, apo të mos kuptojë se Amerika, me qëndrimin e saj aktiv, ndikon dukshëm dhe jep tonin në mbarëvajtjen dhe prosperitetin e vendeve dhe popujve të tjerë. Përgjigjen e pyetjes se ku qëndron sekreti i gjithë kësaj e jep pa ekuivokë historiani politolog K. Rositer, i cili, duke analizuar tetëdhjetë e pesë esetë që përbëjnë Artikujt e Federalistit, pasi i vlerëson ato si “Përgjigje më elokuente, më të argumentuar dhe më instruktive (që) nuk janë dhënë kurrë ndonjëherë … konkludon se “Mesazhi i federalistit është ky: nuk ka lumturi pa liri, nuk ka liri pa vetëqeverisje, nuk ka qeverisje pa kushtetuetshmëri, nuk ka kushtetuetshmëri pa moral dhe nuk ka kurrfarë të mirash të tilla të mëdha pa stabilitet dhe rend”.
Rolin e madh të ShBA-së dhe sidomos dashamirësinë e këtij vendi e kanë ndierë qysh herët edhe shqiptarët, të paktën qysh nga viti 1876 (siç e ka treguar dhe shtypi), kur një anonim nga Korça vuri këmbën në tokën ku dikur kishte shkelur Kolombi e Vespuçi, e sidomos pas vitit 1884 kur Kol Kristofori, i cilësuar si emigranti ynë i parë, tërhoqi pas vetes edhe disa bashkëfshatarë të tjerë. Jo vetëm emigracioni i konsiderueshëm shqiptar në atë vend, por edhe vetë çështja shqiptare, ka tërhequr vëmendjen e shumë burrave shteti amerikanë, deri në atë shkallë sa një funksionar i lartë i Departamentit të shtetit do të thoshte se asgjë tjetër nuk mund ta irritonte më shumë presidentin se “përpjekjet e padrejta për të aneksuar tokat shqiptare”. Nuk mund të mos përmendim me këtë rast dhe preokupimet e pareshtura në ndihmë të popullit tonë, nga ana e Kryqit të Kuq amerikan me në krye Çarls Krejn, qëndrimin e Pil Vilit gjatë vizitës së tij në korrik -gusht 1914, i cili parashtronte se ne duhet t’i ndihmojmë shumë shqiptarët, pasi ata “meritojnë po aq simpati e ndihmë sa dhe popujt e tjerë evropianë, sepse ata nuk janë lindorë … por, janë perëndimorë”.
Apo vërtetësinë me të cilën informonte botën në shkurt 1919 diplomati Jozef Hejvn, kur raportonte: “grekët vrasin fshatarët e pafajshëm, vetëm pse këta janë myslimanë, në të vërtetë ata janë fajtorë vetëm pse nuk heqin dorë nga të qenurit shqiptarë”. Nuk është pa domethënie fakti se sa herë viheshin në pikëpyetje fatet e kombit tonë, bashkësia shqiptare i drejtohej për ndihmë qeverisë amerikane, dhe i kërkonte asaj që të merrte përsipër mandatin mbi Shqipërinë. Kështu, në një letër që i adresohej Robert Lansingut, aso kohe shef në Departamentin e shtetit, emigracioni shqiptar, kërkonte me besim të madh “praninë e trupave amerikane në tërë territoret e diskutueshme, ku nëpërmjet një referendumi të mund të shprehet lirisht vullneti i popullsisë”. Por, më bukur se kudo, roli i ShBA-së në mbrojtje të vendit tonë u përshfaq në Konferencën e Paqes në Paris, ku politikanë si Çarls Telford Erikson, punuan që të bindin Presidentin Uillson për të pranuar mandatin mbi Shqipërinë. Në gjashtë arsyet e tij ai tha: “Parimi i mbrojtjes së popujve të vegjël, është një nga parimet bazë që ka shpallur presidenti … Amerika e ka për detyrë të pranojë thirrjen e shqiptarëve, të cilët kërkojnë ndihmë, njëlloj sikurse kapiteni i anijes e ka për detyrë t’i përgjigjet sinjalit SOS dhe t’i ofrojë ndihmë anijes që po mbytet”.
Akademiku Haris Silajxhiç e ka përcaktuar mjaft mirë kontributin e Uillsonit, duke thënë: “Ajo që Uillsoni bëri për pavarësinë e Shqipërisë nuk përmbahet në propozimet e tij për zgjidhjen e çështjes shqiptare, por për faktin se qëndrimet e tij penguan fuqitë evropiane të japin zgjidhje të parakohshme dhe përfundimtare, gjë që kontribuoi në një masë të madhe në shtyrjen e gjetjes së një zgjidhje përfundimtare, deri në momentin e konsolidimit të forcave të brendshme të Shqipërisë, e cila si anëtare e Lidhjes së Kombeve, në një kohë tjetër që premtonte perspektiva të reja, mund të luajë një rol vendimtar në krijimin e së ardhmes së vet”. Tekefundit, “merita e presidentit Uillson qëndron në faktin se ai arriti të pengojë vënien në jetë të Traktatit të Fshehtë të Londrës të vitit 1913, i cili praktikisht nënkuptonte eliminimin e Shqipërisë si shtet”. Të palëkundur ishin treguar edhe delegatët e Kongresit të Lushnjës, të cilët në telegramin që i dërgonin Senatit, i bënin thirrje “ndjenjave fisnike të kombit amerikan, i vetmi që mund të ngrejë zërin për shpëtimin e popujve të vegjël dhe i vetmi që mund të marrë masa për shpëtimin e Shqipërisë nga synimet imperialiste të shteteve fqinje”. Në kujtesën e shumë njerëzve të thjeshtë, deri vonë mbeti e pashlyer puna e madhe plot devocion dhe humanizëm e mësuesve dhe edukatorëve amerikanë si çifti Kenedi në Korçë dhe i paharruari Harri Fultz në shkollën teknike në Tiranë. Po ashtu, e freskët ruhet edhe ajo çka bënë për fitoren tonë emisarët amerikanë gjatë luftës nacionalçlirimtare.
Marrëdhëniet amerikano-shqiptare nuk kaluan pa prova të rënda. Por, as vrasja misterioze në Mamurras më 6 prill të 1924 e dy turistëve Robert Kolman dhe Xhorxh de Long dhe as gati një gjysmë shekulli ftohje deri në mospasjen e marrëdhënieve diplomatike, nuk e prekën imazhin e respektit reciprok, gjë që fare mirë u demonstrua në pritjen prej mesie të të dërguarit të popullit amerikan Bejker, pas rrëzimit të diktaturës, ku nuk pati asgjë të shtënë dhe hipokrite, por vetëm sinqeritet dhe fisnikëri që buronte nga një popull krenar si ky yni i cili meriton të jetojë si gjithë popujt e tjerë evropianë dhe që asnjëherë nuk e humbi shpresën. Dhe, ndofta kjo qe dhe arsyeja që vendit tonë iu dha anëtarësimi në NATO dhe kur bisha serbe bëri masakrën ndaj popullsisë së pafajshme kosovare, ky organizëm, me insistimin e ShBA-së ndërmori veprime luftarake që krijuan kushtet e plota për liri e pavarësi në këtë vend. Me zgjidhjen e asaj që u quajt kriza e Kosovës, Amerika tregoi se mbetet kampionia e luftës për liri e demokraci, për pavarësi e vetëvendosje të çdo populli, i madh a i vogël qoftë ky, pasi ajo e di mirë se kombet përbëhen nga jetë njerëzish, çka është për këdo e shenjtë dhe e shtrenjtë njëlloj.
Ndaj, dhe ne shqiptarët kemi shprehur me kohë kënaqësinë tonë, kur presidenti i nderuar Bill Klinton, i cili me këtë rast vjen si mik i vendit tone, duke vlerësuar peshën që ne mbajtëm gjatë luftës në Kosovë, dhe duke theksuar se atje vendosej e ardhmja e shekullit të ri, në mesazhin drejtuar popullit shqiptar tha ato fjalët e ngrohta dhe miqësore: “Gjatë kësaj krize keni treguar se pozita e një vendi në botë nuk matet vetëm me pasurinë; fuqinë apo madhësinë e saj, por dhe me parimet që mbështet dhe përgjegjësitë që është gati të marrë mbi vete.” Gjithashtu, nuk ka sesi të mos inkurajohemi kur ai botërisht u angazhua: “Amerika do bëjë gjithçka mundet për t`ju ndihmuar të kapërceni tronditjen e madhe ekonomike e shoqërore të shkaktuar nga lufta, për t’ju ndihmuar të forconi demokracinë tuaj, për të shenjtëruar shtetin e së drejtës, si dhe për të tërhequr investime për hapjen e vendeve të reja të punës dhe mundësive të reja”. Dhe, ShBA-ja, duke pranuar edhe mendimet e kundërta, gjë e pashmangshme kur ndërrohet administrata dhe koniunkturat e politikës ndërkombëtare, i mbetet gjithmonë konsekuente e fjalës së dhënë, gjë që u pa më se qartë edhe te vizita e përzemërt e presidentit Xh. Bush në Shqipëri. Por, edhe shqiptarët nga ana e tyre, nuk janë nga ata që i zhgënjejnë miqtë dhe aleatët e vërtetë.
Dikur, një dramaturg shkruante: “… e ç’është lavdia e Romës dhe e Jerusalemit e krahasuar me lavdinë e Amerikës. Në Romë dhe Jerusalem të gjithë kombet vijnë për të shprehur adhurimin e tyre dhe për të hedhur vështrimin prapa në histori, ndërsa në Amerikë ata vijnë për të punuar dhe për të hedhur vështrimin përpara drejt së ardhmes”. Urojmë që e tillë ajo të mbetet në jetë të jetëve dhe drita që shpërndan pishtari në dorën e statujës së Lirisë, të rrezatojë në të gjithë rruzullin, për të parë dhe kuptuar më mirë popujt, mësimet e lirisë dhe demokracisë në sytë e katër Presidentëve të mëdhenj të gdhendur aq bukur në faqen shkëmbore të malit Rashmor në Bllek Hills.
Ja pse dhe populli ynë në Shqipëri e kudo që ndodhet, dhe kryesisht në Kosovë (e cila ende pret mbështetjen e SHBA para synimeve djallëzore të Serbisë), e nderojmë atë vend të madh me gjithë zemër dhe e sigurojmë se flamuri i tij do të valëvitet në krah të flamurit tonë kombëtar, njësoj si ai flamur që është vendosur në atë shtizën e lartë, në krah të pallatit të Pavarësisë në Filadelfia të Pensilvanisë, ku u nënshkrua ajo deklarata historike, një kopje origjinale e së cilës mund të shitet në ankand miliona dollarë, por që mbetet thesari më i madh i të gjithë brezave njerëzorë, për nga vlerat universale që mbart. Dhe në radhë të parë, prej nga duhet nxjerrë mësimi për të vënë në jetë si ata, parimin e famshëm dhe aq të vlefshëm romak “E pluribus unum”.
Leave a comment