Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka publikuar sot edicionin e 23-të të Përmbledhjes Pulsi Publik.
Sipas rezultateve 41% e qytetarëve janë të kënaqur me performancën e kabinetit ekzekutiv ndërsa 44.9% me punën e kryeministrit.
“Kënaqshmëria me punën e Kuvendit kapi vlerën prej 39.1%, kurse kënaqshmëria me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës ishte 50.8%. Anketa e nëntorit 2022 tregon që niveli i kënaqshmërisë me Presidenten ishte në 56.8%. Ulje të dukshme pati në shkallën e kënaqshmërisë me Gjykatat dhe Zyrën e Kryeprokurorit, në 24.4% dhe 22% përkatësisht, krahasuar me prillin e vitit 2022”, thuhet në komunikatën e UNDP-së.
Ulje ka shënuar edhe numri i qytetarëve që janë deklaruar të gatshëm të protestojnë për arsye politike.
“Një numër dukshëm më i ulët i të anketuarve ishin të gatshëm të protestojnë për arsye politike në nëntor 2022 (24.2%) sesa në prill 2022 (37.6%). Ky është numri më i ulët i të anketuarve të gatshëm të protestojnë për arsye politike i regjistruar ndonjëherë nga Pulsi Publik”, thuhet në komunikatë.
Rezultatet kanë treguar se Papunësia (29.9%), varfëria (21%) dhe çmimet e furnizimeve esenciale (17.4%), janë perceptuar si tri problemet kryesore në Kosovë.
Gjithsej 31.2% e të anketuarve besojnë se vota e tyre mund të sjellë ndryshime ndërsa 69% e të anketuarve do të votonin, nëse zgjedhjet qendrore do të zhvilloheshin së shpejti.
“8.9% e të anketuarve thanë se dinë shumë për sa i përket të drejtës për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm, 26.2% pohuan se kanë njohuri mesatare, kurse 46.1% e të anketuarve thanë se dinë pak për këtë temë. Gjithsej 18.8% thanë se nuk kanë njohuri për këtë temë. Gjetjet tregojnë që 80.4% të të anketuarve ndihen të sigurt kur janë jashtë në rrugë, në aspektin e dhunës dhe krimit potencial. Të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë treguan se meshkujt (81.1%) ndihen më të sigurt kur janë jashtë sesa femrat (79.8%)”, thuhet në komunikatë.
Pulsi Publik 23 regjistron një ulje si në Indeksin e Demokratizimit (ID) ashtu edhe në Indeksin e Besueshmërisë Ekonomike (IBE). “ID-ja aktuale shënon ulje të lehtë prej 0.14 pikë (1.52) krahasuar me prillin 2022 kur kjo vlerë ishte 1.66 pikë. Sidoqoftë, kjo shifër (1.52) sugjeron se më shumë se gjysma e qytetarëve në Kosovë kanë pikëpamje pozitive për proceset demokratike në Kosovë. Në mënyrë të ngjashme, IBE-ja është ulur për 0.12 pikë krahasuar me prillin 2022”, thuhet komunikatën e UNDP-së.
Rezultatet e anketës kanë treguar se gjithsej 69% e të anketuarve besojnë se zgjedhjet në Kosovë janë demokratike dhe sipas standardeve ndërkombëtare.
Anketa e opinionit të Pulsit Publik bazuar në intervistat e kryera në nëntor 2022 përshkruan gjetjet mbi dhjetë treguesit kryesorë që mbulojnë çështjet socio-ekonomike, mjedisore dhe politike.
Leave a comment