Shqiptarët e diasporës po shprehen të pakënaqur me proceset që po zhvillohen pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Sipas tyre, ish-krerët e UÇK-së po përballen me një proces politik.
“Për UÇK-në, të vërtetën dhe drejtësinë”, do të protestohet më 1 mars në Hagë, qytetin holandez ku ndodhet selia e Gjykatës Speciale. Organizmi vjen nga shqiptarë të diasporës, të cilët në ditën e fillimit të gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, do të kërkojnë drejtësi dhe shfaqin mbështetjen e tyre për ish-krerët e UÇK-së. Organizatorët e protestës bëjnë thirrje për dalje sa më masive këtë ditë dhe jo vetëm shqiptarë të diasporës, por ftojnë edhe qytetarët e Kosovës që t’u bashkohen në protestë paqësore.
Ata nuk kundërshtojnë gjykatën, por i bëjnë asaj thirrje për vendosje të drejtësisë ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen atje.
Një leje për organizim të protestës tashmë është siguruar nga autoritetet holandeze dhe qytetarët pritet të mblidhen në rrugën “Laan van Reagan en Gorbatsjov”, Den Haag, të mërkurën e 1 marsit nga ora 10:00 deri në 12:00.
“Protestën e kemi filluar me organizu për shkak të pakënaqësive, që po vazhdon që dy vjet ky proces, neve po na duket se i tërë procesi ka rrëshqitë në një proces politik dhe jo në drejtësi. Kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kundër atyre që e bënë shtetin e Kosovës, kontribuuan shumë për shtet ndërtimin, në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, ishin politikanët që koordinuan punën e tyre, më së shumti me ndërkombëtarët, për zhvillimin e Kosovës për integrimin në organizata të ndryshme ndërkombëtare, që Kosova të jetë sa më e organizuar edhe për komunitetet në Kosovë.”, thotë Raif Istogu, një nga organizatorët e protestës.
Istogu në një lidhje për KosovaPress nga Gjermania, thotë se duan t’i tregojnë botës që janë në përkrahje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
“Në asnjë mënyrë nuk e ka menduar askush që njerëzit e paqes, që luftuan për çlirimin e Kosovës sot të përfundojnë në paraburgim në Hagë. Kjo është çështja kryesore pse ne organizohemi. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi dhe të tjerët nuk janë vetëm emra, por janë edhe histori e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata nuk janë vetëm themeluesit e UÇK-së, por janë edhe baballarët e shtetit të Kosovës, themeluesit e republikës së Kosovës, kjo është arsyeja kryesore pse ne sot po mundohemi që ta organizojmë një protestë madhështore në Hagë, për t’i treguar gjithë botës dhe për ata dhënë qëndrimin tonë se ne jemi me çlirimtarët.”, shton ai.
Ai pret që protesta e 1 marsit të jetë madhështore, derisa konfirmon që ajo do të mbahet në një lokacion që ndodhet pesë minuta larg institucionit të Gjykatës Speciale në Hagë.
“Neve na kanë caktuar një lokacion, ne po mendojmë që ka me u bë një protestë shumë madhështore dhe për shkak të vendit, edhe para gjykatës edhe para vendit ku është paraburgimi, nuk ka vend të mjaftueshëm për një masë të madhe që ne mendojmë që ka me pas. Neve na është caktuar një lokacion pesë minuta larg gjykatës. Ne mendojmë të organizohemi me autobusë dhe kemi lidhe me kontakte thuajse me të gjitha shtete e Evropës, me Zvicrën, Austrinë, Francën, kemi kontaktuar me njerëz aktivistë dhe të gjithë janë aktivizuar që protesta të jetë sa më madhështore.”, thotë Istogu.
Ai deklaron se i bëjnë thirrje gjykatës që të vendosë drejtësi, meqë sipas tij, ish-krerët e UÇK-së po përballen me padrejtësi për më shumë se dy vjet prej kur janë në paraburgim.
“Ne po kërkojmë vetëm drejtësi, ne jemi të dëshpëruar prej rastit me Dick Marty, rasti i Dick Marty u anashkalua komplet, ajo ka dalë që ka qenë një gënjeshtër e servuar nga qarqet ruse dhe serbe. Ne do t’i bëjmë Gjykatës Speciale vetëm thirrje që të jenë të drejtë dhe jo politik. Ne nuk po kundërshtojmë Gjykatën Speciale, Gjykata Speciale nuk kemi arsye me kundërshtu, ne do të kundërshtojmë vetëm padrejtësitë që po u bëhen heronjve tonë dhe vet popullit shqiptar”, thotë ai.
Istogu vlerëson se kësaj proteste duhet t’i bashkohen edhe qytetarët nga Kosova.
“Ne kemi informuar të gjitha organet në Holandë, jemi pajisura me një leje për protestën dhe unë ju bëj thirrje bashkatdhetarëve, të gjithë ata që kanë mundësi, dhe jo vetëm bashkatdhetarëve por edhe kosovarëve në Kosovë, që të gjithë ata që kanë mundësi të na bashkohen në këtë protestë dhe t’i ndihmojmë njerëzit që janë në Hagë, ta ndihmojmë shtyllën e shtetit, këta njerëz që e shpallen pavarësinë që sot ne po e gëzojmë që ne nga diaspora vimë lirshëm në Kosovë, i bëjmë rrugëtimet lirshëm pa asnjë problem.”, thotë Istogu.
Protesta e 1 marsit në Hagë pritet të jetë e qetë dhe të zgjasë për dy apo tri orë.
Po më 1 mars, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, do të fillojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po qëndrojnë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit lidhur me pretendimin për krime lufte është konfirmuar më 26 tetor 2020, ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë, ata janë deklaruar të pafajshëm.
Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetisht.
Leave a comment