Zyrës së Prokurorit të Specializuar duket se po i pengojnë kritikat publike në adresë të saj. Ajo ka reaguar edhe ndaj kritikave të avokatit Dastid Pallaska, i cili është pjesë e ekipit mbrojtës të Hashim Thacit. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar nga trupi gjykues në Dhomat e Specializuara që të marrë në konsideratë deklaratat e bëra të Dastid Pallaskës, në një paraqitje të tij në RTK.
Në ankesën që ka parë Gazeta Insajderi, Pallaska paralajmërohet për sanksione nga ZPS-ja, meqë sipas tyre përbën shkelje në Kodin e Sjelljes.
“Neni 13(a) i Kodit të Sjelljes parashikon që avokati dhe prokurorët nuk do të ‘bëjnë me vetëdije deklarata në mediat sociale, për shtypin ose publikun, të cilat janë të rreme ose shpifëse, ose të zbulojnë informacione konfidenciale, duke përfshirë për personat e përfshirë në procedim”, thuhet në ankesën e Prokurorisë.
ZPS-ja ka komentuar deklaratat e Pallaskës, i cili në televizion publik tha se 99 për qind e aktakuzës ndaj Thaçit nuk ka të bëjë fare me raportin e ish-senatorit zviceran, Dick Marty.
“Tri Dhoma të ndryshme kanë mbështetur, në arsyetim të detajuar, lidhjen dhe juridiksionin përkatës. Komenti i z. Pallaska se juridiksioni i Dhomave të Specializuara bazohet në ‘arsyetim jo serioz’ është qartësisht mashtrues dhe nuk përputhet me kërkesat e sinqeritetit”, vijon ZPS-ja.
Ankesa e Prokurorisë, e cila mban nënshkrimin e prokurorit Alex Whiting, e vlerëson të gabuar deklaratën e Pallaskës se po gjykohet mbarë UÇK-ja dhe qëllimi është deklarimi i Kosovës si shtet kriminal.
Pas marshit masiv në Prishtinë, ku sipas të dhënave jozyrtare kanë marrë pjesë rreth 70 mijë qytetarë në shenjë pakënaqësie me procesin e deritashëm në Hagë, janë shtuar përpjekjet edhe të disa ambasadorëve për ta relativizuar gjykimin, me pretendime se atje nuk po gjykohet UCK-ja, përkundër që nga Shtabi i Përgjithshëm e deri të komandantët e zonave atakohen si ndërmarrje e përbashkët kriminale.
Leave a comment