activeBallinaKryesoreLajme

Profesori amerikan: Nëse UÇK-ja shpallet “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”, atëherë të gjitha kryengritjet guerile në histori janë të tilla

Henry H. Perritt, profesor amerikan në Kolegjin e Drejtësisë Chicago-Kent në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte befasuar shumë kur kishte parë pikën 35 të aktakuzës kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, sepse, sipas tij, nëse UÇK-ja dhe liderët e saj dënohen për një vepër të tillë, atëherë kjo do ta shkundë gjithë Ligjin Ndërkombëtar dhe të gjitha guerilet nëpër botë me automatizëm i bën Ndërmarrje të Përbashkëta Kriminale.

Në një intervistë për Albanian Post, Henry H. Perritt, që ka shkruar edhe librin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Brenda Historisë së një Kryengritjeje”, thotë se po ndodhi që Gjykata Speciale të dënojë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, atëherë do ta rishkruajë përfundimisht Ligjin Ndërkombëtar.

“Këtu mund të rishkruhet Ligji Ndërkombëtar për konfliktet e armatosura”, thotë Perritt, sepse “nën teorinë e Prokurorisë së Specializuar, çdo kryengritje guerile në histori do të jetë ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

Me kompetencën e profesorit të drejtësisë, specializimit në kryengritje guerile dhe njohjes së detajshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Perritt deklaron për Albanian Post se “UÇK-ja nuk ishte një ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’ në asnjë sens legjitim të termit”.

“UÇK ishte një kryengritje tipike guerile, e motivuar nga nacionalizimi dhe vendosmëria për të rezistuar nga ajo që konsiderohej të ishte okupimi i territoreve shqiptare nga Serbia”, shpjegon Perritt që për herë të parë për UÇK-në kishte dëgjuar në vitin 1996 kur po punonte në një projekt për Bosnjën dhe Hercegovinën, derisa në vitin 1998 kishte vendosur ta vizitonte vetë Kosovën dhe të shihet nga afër se çfarë është kjo lëvizje nacionaliste çlirimtare që ka perfeksionuar atë që teoria e njihte si “4GW”.

Perritt kishte filluar ta shkruante librin për UÇK-në menjëherë pasluftës dhe arriti ta botojë vetëm në vitin 2008, pas disa vitesh studim. Ideja për ta shkruar i kishte ardhur në një moment dhe vend krejt jo të zakonshëm.

“Libri filloi me një bisedë me një kamerier në Hotel Victory në Prishtinë. Ai ishte 22 vjeçar në atë kohë, i bukur, i këndshëm dhe pak i turpshëm. Ishte ish-ushtar i UÇK-së. Me të vijojë një bisedë e gjatë. Çfarë e kishte bërë këtë fëmijë të imët, qartësisht të butë, ta kapte një AK-47 dhe ta rrezikonte jetën e tij?”, ishte ajo që e fascinoi Perritt.

I njohur me teoritë për kryengritjet guerile, i inspiruar nga biseda me ish-luftëtarin kamerier, profesori amerikan iu fut një studimi disavjeçar, duke intervistuar të gjithë liderët ushtarakë e politikë të UÇK-së, të gjithë kritikët dhe kundërshtarët e UÇK-së dhe duke konsultuar të gjitha dokumentet që gjeti, për të ardhur në përfundimin se “UÇK-ja ishte një nga kryengritjet më të suksesshme të pas-luftës së ftohtë, përkundër se operoi relativisht në një periudhë shumë të shkurtër të konfliktit të armatosur”.

Perritt do arrinte në përfundimin se UÇK-ja është ilustrimi më i mirë i asaj që teoria e njihte si “Luftë e Gjeneratës së Katërt (4GW), një term që nënkupton integrimin e aspekteve ushtarake dhe politike në betejë”.

Çfarë e kishte çuditur shumë njohësin e ushtrive guerile, ishte fakti se suksesi i madh i UÇK-së nuk i përputhej me strukturën e dobët komanduese.

Në këtë intervistë për Albanian Post, ai deklaron se “UÇK-ja kishte një zinxhirë komandues shumë të dobët dhe të pasigurt edhe pse i ashtuquajturi ‘shtabi i përgjithshëm’ u munda shumë gjatë konfliktit që komandantët regjionalë që ishin shumë autonomë të përcillnin direktivat e shtabit të përgjithshëm”.

Përkundër se edhe UÇK-ja binte ne paternin e shumicës së guerileve të tjera nëpër botë, dy elemente e kishin befasuar profesorin amerikan, që ishin unike në krahasim me lëvizjet e ngjashme nëpër botë.

“Ndryshe nga kryengritjet tjera, UÇK-ja nuk ndërmori sulme terroriste ndaj caqeve civile”, kishte gjetur Perritt. “Gjithashtu, edhe pse kryengritja e UÇK-së zhvillohej në një rajon ku popullata ishin shumicë dërrmuese myslimane, ata refuzon ofertat për ndihma nga fundamentalistët islamikë”.

Pas studimit të operimit të UÇK-së, Perritt nxirrte përfundimin se “eksperienca me UÇK-në tregon që jo çdo popullatë myslimane rrëshqet në fundamentalizëm islamik dhe përbashkon veten me grupe të tilla, sidomos kur ka esencialisht qëllime nacionaliste”.

Perritt kishte gjetur në arkiva se “UÇK-ja i dëgjoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur përmes CIA-s, iu thanë ‘mos u përfshini me ekstremistët islamikë’”.

Për këto dhe arsye të tjera, Perritt thotë për Albanian Post se “nëse UÇK-ja dhe liderët e saj dënohen, atëherë kredibiliteti i Ligjit Ndërkombëtar për konfliktet e armatosura do të cenohet rëndë”.

Ai kujton se edhe “intervenimi i NATO-s ishte bërë nën argumentimin e dhënë në atë kohë”, pikërisht për këto arsye.

“Por, edhe sot asgjë s’ka ndryshuar sa u përket atyre argumentimeve”, pohon Perritt për AP-në.


Perritt përveç akademik, ai është edhe sh-kandidat i Demokratëve për Dhomën e Përfaqësuesve në Kongresin e SHBA-ve. Dikur kishte shërbyer në Ministrinë e Punës në kabinetin e Presidentit Amerikan, Gerald Ford, dhe më pas edhe për presidentin Bill Cliton si pjesë e ekipit të transicionit.

Më vonë, në vitin 2010, ai do shkruante edhe një libër për Kosovën me titull “Rruga drejt pavarësisë për Kosovën: Një kronikë e Planit të Ahtisaarit”.

Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Articles

activeBallinaLajme

Kurti: Po punojmë pa u lodhur çdo ditë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e të gjithëve

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova e rikonfirmon përkushtimin e saj...

activeBallinaLajme

Tentim vrasje në Pejë, policia jep detaje

Të shtunën pas mesnate rreth orës 01:25 ka pasur të shtëna me...

Ballina

Tentim vrasje në Pejë, policia jep detaje

Të shtunën pas mesnate rreth orës 01:25 ka pasur të shtëna me...

Lajme

FOTO: Katër sekrete për një fizik të jashtëzakonshëm nga Jennifer Aniston

Jennifer Aniston ka zbuluar së fundmi për mediat se çfarë gjërash bën...