Sot, vërehet sasi e madhe e mbeturinave në kryeqytet, pasi punëtorët e Kompanisë Regjionale të Mbeturinave “Pastrimi” janë në grevë.
Punëtorët e “Pastrimit” të hënën kanë mbajtur grevë për ngritje të pagave dhe si pasojë e kësaj, ata nuk kanë dalur për të mbledhur mbeturinat.
Lidhur me këtë ka reaguar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, duke thënë se rrugët janë të mbushura me mbeturina dhe kjo situatë është e papranueshme.
“Me shqetësim të madh po e adresoj grevën e fundit të punëtorëve të Ndërmarrjes “Pastrimi”.
Ne e kuptojmë zhgënjimin e punëtorëve dhe njohim të drejtën e tyre për të protestuar, por vendimi i tyre për të ndërprerë punën ka pasur një ndikim të rëndë në pastërtinë e qytetit tone”, ka shkruar ai.
Rama tha se kanë qenë aktivisht të angazhuar me Ndërmarrjen për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje dhe janë të përkushtuar për të arritur një marrëveshje të drejtë nga e cila do të përfitojnë edhe punëtorët dhe kryeqyteti.
“Ndërkohë, ne jemi duke vendosur të gjitha burimet në dispozicion për të menaxhuar situatën dhe për të pastruar sa më shpejt mbeturinat. Kërkojmë ndjesë për shqetësimin e shkaktuar dhe ju sigurojmë se po punojmë me përkushtim të plotë për të zgjidhur sa më shpejtë situatën”, tha ai përmes një shkrimi në “Facebook”.
Leave a comment