President i ri i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha për televizionin Nova se rruga evropiane e Malit të Zi është e padiskutueshme, dhe se politika e jashtme – bazuar në marrëveshjet e nënshkruara ndërkombëtare – nuk do të ndryshojë.
I pyetur nga gazetarët nëse kjo do të thotë se nuk është reale të pritet tërheqja e njohjes së Kosovës, Millatoviq tha se “kjo është e qartë”.
“Ne mbështesim gjithçka për të cilën do të bien dakord Beogradi dhe Prishtina. Mendoj se normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës është i rëndësishëm për të gjitha vendet në rajon, dhe Mali i Zi dëshiron të jetë një fqinj i mirë që do të promovojë marrëdhënie të mira fqinjësore”, tha ai.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve të së dielës, më 2 prill, Millatoviq mposhti ish-presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, duke i dhënë fund qeverisjes disa dekadëshe të Partisë Demokratike të Socialistëve në Podgoricë.
Në deklaratat e mëparshme për media, ai ka konfirmuar se mbështet nismën rajonale të Ballkanit të Hapur, të cilës Mali i Zi aktualisht nuk i përket.
Millatoviq tha se beson se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është evropiane dhe se Mali i Zi mund të jetë një partner i rëndësishëm atje.
“Mali i Zi mund të luajë një rol të rëndësishëm – si një lokomotivë që mund të jetë e para që do të hyjë në BE – dhe tani t’i shtyjmë, gjithashtu, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që të na bashkohen”, tha ai.
Në një intervistë për Associated Press, ai tha se një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme do të jetë përshpejtimi i anëtarësimit të vendit në BE, dhe se shpreson që Mali i Zi të bëhet anëtar i BE-së në pesë vitet e ardhshme.
Milatoviq theksoi se kjo është veçanërisht e rëndësishme kur bëhet fjalë për pushtimin rus të Ukrainës.
“Pra, një politikë e jashtme në përputhje të plotë me atë të BE-së është ajo që duhet ta udhëheqë Mali i Zi në të ardhmen, dhe kjo është veçanërisht e rëndësishme tani kur bëhet fjalë për agresionin rus në Ukrainë. Unë mendoj se në Evropë, dhe padyshim në Mal të Zi, askush nuk mund ta mbështesë pushtimin e një shteti tjetër sovran”, tha ai.
Të hënën, Bashkimi Evropian ka shprehur gatishmëri për të punuar me presidentin e ri të zgjedhur të Malit të Zi, duke shprehur bindjen se ky shtet do të mbetet i përkushtuar për rrugën evropiane./rel
Leave a comment