Policia e Kosovës, konkretisht bashkëpunimi ndërmjet drejtorisë së antidrogës dhe asaj kundër krimeve ekonomike, ka rezultuar me një operacion të suksesshëm ku janë zbuluar dhe sekuestruar një shumë e parave të falsifikuara.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike ka pranuar informatën nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve të cilët sot me datë 22.05.2023 rreth orës 16:30, gjatë një operacioni policor, gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit me iniciale (V.T.) kanë hasur në një shumë të parave euro të cilat janë dyshuar se janë të falsifikuara”.
“Pas këtyre veprimeve rasti ka kaluar për hetim të mëtutjeshëm në Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike (DHKEK), me ç’rast pas analizimit të provave është arrestuar i dyshuari i lartcekur, gjithashtu është sekuestruar shuma e parave prej 94 copë kartëmonedha (në apoen) prej 50 eurove, gjithsejtë katër mijë e shtatëqind (4700) euro, që dyshohet të jenë të falsifikuara”, ka njoftuar Policia, duke shtuar se pas analizimit të kartëmonedhave të falsifikuara vërehet se është falsifikim i nivelit më të lartë, përmban disa prej tipareve të sigurisë dhe i rrezikshëm që qytetarët të bien pre e mashtruesve me këtë lloj falsifikimi.
“I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit të tij mbrojtës dhe të njëjtit ju ka lëshuar vërtetimi për sekuestrim të 4700 eurove. Për veprimet e ndërmarra është njoftuar dhe konsultuar Prokurori kujdestar i krimeve të rënda nga PTH-Prishtinë dhe i dyshuari dërgohet në mbajtje prej 48 orëve”, ka njoftuar Policia.
Leave a comment