Policia e Kosovës ka nevojë për rekrutimin e zyrtarëve policorë, po vlerësojnë ekspertë të sigurisë në Kosovë, të cilët thonë se duhen edhe të krijohen kushte më të mira. Madje ata thonë se edhe policët aktual duhet të trajnohen në fusha specifike në mënyrë që të jenë të gatshëm në çdo situatë.
Rashit Qalaj, ish-drejtor i Policisë së Kosovës, i tha Ekonomia Online se ky institucion ka nevojë për policë të rinj në moshë.
Sipas tij, hapja e çdo konkursi bëhet me qëllim që të përmbushet numri tavan, i cili është i caktuar nga Qeveria e Kosovës.
“Unë mendoj që Policia e Kosovës ka nevojë për policë, ka nevojë për gjenerata të reja, Policia e Kosovës e ka numrin e caktuar, pra numrin tavan nga Qeveria e Kosovës dhe sigurisht që nëse është hapur konkursi qëllimi është që të përmbushet numri, i cili duhet të jetë në Policinë e Kosovës dhe unë mendoj që çdo gjeneratë e re që i vije Policisë së Kosovës ndikon shumë në elanin, në energji dhe në shërbime sa më efikase në aspektin e sigurisë”, tha Qalaj për EO.
Qalaj thotë se dorëheqjet janë kryesisht si pasojë e kushteve të punës që kanë zyrtarët policorë.
“Po nga informatat që unë posedoj dorëheqjet janë kryesisht në gjendjen e rëndë ekonomike, dhe kushtet e punës. Ju e dini që Policia është lënë pas dore nuk ka ndonjë stimulim financiar, nuk ka pajisje të mirëfillta, nuk ka përmirësim të kushteve të punës, pra është në një gjendje mjaft të keqe”, tha Qalaj.
Përdeirsa eksperti i cështjeve të sigurisë, Bedri Elezi, ka thënë se ka probleme me rekrutimin e policëve të rijnë, kjo sipas tij, për shkak të kushteve jo të mira. Ai tha se policët që janë tashmë në detyrë duhen trajnuar nëpër departamente të veçanta, si ai i kibernetikës.
“Aktualisht kujtoj se Policia e Kosovës është mirë e strukturuar ka të gjitha departamentet e saj, por të jemi të sinqertë, tek pjesa e njësive të veçanta kujtoj se ndoshta ka akoma nevoja që Kosova të organizojë domethënë shkollime të ndryshme për njësi të veçanta të Policisë së Kosovës, sidomos njësitë që janë kundër krimeve kibernetike, e keni parë që edhe në Kosovë ka vepra të tilla, të ndaluara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, në çështjet e kibernetikës, si ashtu ka edhe kanosje të sigurisë kombëtare që mund të vijnë nga struktura të caktuara jashtë kufirit të Kosovës, sidomos nëse e marrim faktin parasysh se kemi pasur disa alarme të rrejshme me bomba në Aeroportin e Prishtinës me çka kanë rezultuar të pasakta por që kanë shkaktuar dëme ekonomike serioze në ekonominë e Kosovës”.
Ndërkaq për dorëheqjet vullnetare Elezi përmendi disa prej arsyejeve që sipas tij, çojnë drejt largimit të policit nga detyra, raporton EO.
“Dukuria e largimit të zyrtarëve të Policisë së Kosovës nga institucionet e sigurisë, përkatësisht Policia e Kosovës është vërtetë shqetësuese dhe sigurisht se gjithë kjo po bëhet si rezultat i një keqmenaxhimi me Policinë e Kosovës, një mossiguri juridike dhe ekonomike e zyrtarit të Policisë së Kosovës si dhe shumë çështje të tjera, siç është sigurimi shëndetësor, çështja e pagesës së merituar, kjo është një shqetësim serioz sepse nëse marrim në konsideratë koston ekonomike që i kushton shtetit për të nxjerrë, për të trajnuar një polic”.
“… kujtojmë se kemi dy probleme serioze, e para kemi në dëmtim të buxhetit të Republikës së Kosovës, përkatësisht taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës të cilët do të paguajnë gjithë shkollimin e këtyre zyrtarëve policor dhe e dyta do të kemi mungesë të profesionalistëve, të cilët më të vërtetë për një kohë të caktuar nëse punojnë në Policinë e Kosovës, ata do të kenë mjaftueshëm përvojën dhe profesionalizmin e tyre për të dhënë kontribut në Policinë e Kosovës”, theksoi Elezi
Leave a comment