Policia në Gjermani ka nisur një hetim penal ndaj bashkëthemeluesit të Pink Floyd, Roger Waters, lidhur me një uniformë të stilit nazist që kishte veshur në një koncert të fundit në Berlin.
“Është hapur një hetim mbi kostumin e shfaqur në koncertet e 17 dhe 18 majit,” tha për Guardian zëdhënësi i policisë së Berlinit, Martin Halweg.
Shfaqja e simboleve të sundimit nazist, duke përfshirë svastikën, është e paligjshme në Gjermani, me përjashtim të rasteve për qëllime edukative dhe në kontekste artistike.
“Konteksti i veshjeve konsiderohet si mënyrë për të miratuar, lavdëruar ose justifikuar sundimin e dhunshëm të regjimit nazist në një mënyrë që cenon dinjitetin e viktimave dhe në këtë mënyrë prish paqen publike,” tha Halweg.
Waters u shfaq i veshur me një pallto lëkure të zezë me një shirit të kuq, me dy çekiçë të kryqëzuar në vend të svastikës. Ai performoi këngën “In the Flesh”, ku protagonisti përjeton një halucinacion të shkaktuar nga droga, ku e imagjinon veten si një diktator fashist që i drejtohet një mitingu neo-nazist.
Gjatë performancës në Berlin, në një ekran të madh u shfaqën edhe emrat e disa personave të vdekur. Emrat përfshinin Anne Frank, adoleshentja hebreje që vdiq në një kamp përqendrimi nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Policia e Berlinit do të vazhdojë të mbledhë prova për rreth tre muaj dhe më pas t’ia dorëzojë ato prokurorisë, që do të vlerësojë nëse akti i Waters mund të konsiderohet si nxitje e urrejtjes.
Waters tha se performanca e tij ishte qartësisht për të treguar “kundërshtimin ndaj fashizmit”.
Leave a comment