Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës zyrtare në Mal të Zi ku është pritur në takim nga presidenti Gjukanoviç, ka folur mes të tjerash edhe në lidhje me edhe për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në konferencën e përbashkët për media, Osmani tha se që nga viti 2013 kur në Kuvendin e Kosovës është sjell marrëveshja për Asociacionin qëndrimi i institucioneve të Kosovës nuk ka ndryshuar.
“Që nga viti 2013 kur ajo marrëveshje është sjell në Kuvend, kam mbajtur qëndrim të njëjtë. Nuk ka të bëjë me rrethana të reja sepse qëndrimi gjithnjë ka qenë se nuk mund të ketë struktura njëetike. Dhe nuk mund të ketë pushtet ekzekutiv për këtë Asociacion, pasi është e ndaluar me Kushtetutën tonë. E treta, nuk mund të ketë modele që kanë çuar në dështim”, ka deklaruar Osmani.
Osmani është shprehur se Kosova nuk është kundër të drejtave të komunitetit serb, por është kundër që t’i japë Serbisë një instrument kontrolli nëpërmjet të cilit mund të minojë integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës.
“Ne nuk jemi kundër të drejtave të komunitetit serb, por jemi kundër që t’i japim Serbisë një instrument kontrolli nëpërmjet të cilit mund të minojë integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës e rrjedhimisht të sjell edhe më shumë influencë ruse në tërë rajonin tonë”, ka deklaruar tutje ajo.
Leave a comment