Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, me institucionet e tjera qeveritare po dështojnë që qytetarëve të veriut të Kosovës t’ua ofrojnë kushtet e sigurisë për zgjedhjet e lira dhe demokratike më 23 prill.
Shteti i Kosovës është dorëzuar përballë kriminelëve që funksionojnë në atë pjesë dhe që kontrollohen e nxiten nga shteti i Serbisë, shkruan Demokracia.com.
Për herë të parë në historinë e Republikës së Kosovës, për zgjedhjet që do të mbahen në katër komunat veriore të Kosovës, po pritet të ngrihen shatorë. Ende nuk janë caktuar lokacionet, por siç ka mësuar Demokracia.com, po planifikohet që ato të vendosen në oborret e stacioneve policore të komunave me shumicë serbe.
Pushteti 51% i Vetëvendosjes, i dalë nga zgjedhjet e mbajtura më 14 shkurt 2021, nuk po arrin t’i sigurojë kushtet për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që më 23 prill të hapë të gjitha qendrat e votimit në këto katër komuna.
Demokracia.com ka mësuar se nga 44 qendra të votimit që janë në këto komuna, vetëm më pak se 10 do të hapen në objekte ku edhe më parë janë organizuar zgjedhje dhe 3 të tjera do të hapen në oborret e stacioneve policore, ku për t’i hapur ato do të sigurohen edhe shatorë.thekson demokracia.com
Pamjet e tilla, ku qytetarët do të shihen duke votuar në shatorë, do të përcjellin një imazh negativ të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave veriore u shpallën pas dorëheqjes së kryetarëve të katër komunave në veri, të gjithë nga Lista Serbe, në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Dorëheqje dhanë edhe dhjetë deputetët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, por që më pas brenda afatit ligjor ata u zëvendësuan nga nëntë deputetë të po këtij subjekti politik dhe një nga Iniciativa Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Serbët e veriut të Kosovës, në mënyrë kolektive braktisën pozitat e tyre edhe në institucionet tjera, duke përfshirë policinë dhe gjyqësorin.
Leave a comment