Nga Michael Levin “Fox News”
Sapo mbusha 45 vjeç… për të 20-tin vit radhazi. Kjo do të thotë se jam mjaftueshëm i moshuar për shërbimin shëndetësor kombëtar. Por e them me sinqeritet se nuk kam nevojë për të dhe nuk kam ndërmend ta përdor kurrë. Kam në plan të jetoj deri në moshën 104 vjeç, me shëndetin, energjinë dhe mendjen time të paprekur. Në rast se dëshironi të bëni të njëjtën gjë edhe ju, ndiqni këto 3 rregulla të thjeshta që do të përshkruaj më poshtë.
1. Mos vdisni nga ndonjë budallallëk
Kjo është këshilla e Uilliam Kep, bashkëthemelues dhe drejtues i “Fountain Life”, një kompania pioniere e mjekësisë precize. Dr.Kep thotë se shumica e sëmundjeve që prekin njerëzit e moshuar – zemra, mushkëritë, truri dhe lloje të ndryshme kanceri – zakonisht
nuk zbulohen derisa të jetë tepër vonë për t’i trajtuar ato.
“Fountain Life” analizon në detaje shëndetin e anëtarëve të saj, duke renditur gjenomin
e tyre, duke krye skanime të trurit, mushkërive dhe zemrës etj. Për pasojë mund të identifikohen sëmundje fatale në një fazë që janë ende lehtësisht të trajtueshme.
Një gjysmë dite e kaluar nëpër këto testime, mund t’ua shtojë jetën me dekada. Mua më pëlqen të bëj shaka me faktin se më bënë një skanim të trurit…dhe nuk gjetën asgjë. Dhe dëbojeni vetminë nga vetja juaj. Dilni nga shtëpia, zona juaj e rehatisë dhe braktisni bisedat kryesisht virtuale, dhe qëndroni përditë në kontakt me dikë që mund të përdorë vëmendjen, mençurinë ose ndjenjën tuaj të humorit.
Bëhu vullnetar në një spital ose shkollë. Shëtisni nëpër park dhe përshëndetni njerëzit. Blini një biletë avioni dhe shkoni të takoni një mik të vjetër që ndodhet larg. Shkruani një letër mirënjohjeje për dikë dhe jepjani. Do të shihni se sa mirë do të ndiheni që të dy.
Sot jetojmë të rrethuar nga mjetet më të mëdha të komunikimit në historinë e njerëzimit. E megjithatë, fshihemi pas ekraneve…Në punë, në shëtitje, në kafene, gjatë jogës dhe për
disa, edhe gjatë seksit. Emaile, mesazhe në Ëhatsapp dhe platformat e tjera. Po sikur t’i telefononit dikujt? Dhe të bënit një bisedë reale, në kohë reale ? Nga të gjithë gjërat
idiote që mund t’iu marrin jetën, vetmia mund të jetë numri një.
2. Mos e ndihmoni vdekjen
Ky udhëzim vjen nga drejtuesi i i “Strategic Coach”, Den Sallivan. Ai u thotë klientëve të tij, sipërmarrës shumë të suksesshëm, se duhet të kenë një plan të ri 25-vjeçar të shkëlqyer për t’i motivuar ata të rriten, të kërkojnë horizonte të reja dhe të kenë nivele më të mëdha emocioni, kontributi, suksesi dhe kënaqësie në jetën e tyre.
Po, është e drejtë:një plan 25-vjeçar! Përndryshe, jemi në thelb duke përgatitur veten dhe mendjet për një vdekje të hershme. Plani i përgjithshëm i Den është të jetojë deri në 153 vite. Një herë dikush e pyeti nëse do të zhgënjehej nëse nuk ia dilte. Qesharake. Kthejeni pensionin në një rikthim tek jeta aktive.
Gjeni diçka që do të donit të bënit. Përgatituni për faktin se në kapitullin e dytë të jetës do të duhen vite për t’u zhvilluar dhe shijuar atë. Fillojeni biznesin e ri që kishit ndër mend ta hapnit. Apo simfoninë që kishit ndër mend. Bëni diçka.
Ndërsa, njerëzit që dalin në pension pa një plan, përballen shpesh me “3 D”-të që në vitin e parë:divorc, depresion dhe vdekje. Është e vështirë të kalosh nga të qenit dr.Frederik Xhons, që arrin sukses pas suksesi në sallën e operacionit, tek Fredi i thjeshtë që përpiqet të kuptojë se si t’i mbushë orët e zbrazëta.
Nëse nuk keni një plan për fazën e dytë të jetës tuaj, mund t’i telefononi shërbimeve funerale që të jenë gati. Dhe mos thoni “Jam shumë i moshuar!”. Nuk do të jesh më kurrë kaq i ri! Koloneli Harlan Sanders shiti kompaninë e tij “Kentucky Fried Chicken” në moshën 70-vjeçare.
Xhuzepe Verdi kompozoi opera legjendare deri në të 80-at e tij. Uorren Bafet është ende duke investuar në moshën 92-vjeçare. Toni Benet këndonte ende pas të 90-ave. Arkitekti i famshëm Filip Xhonson doli në pension në moshën 97-vjeçare.
Ndërsa komediani Xhorxh Bërns po performonte ende në skenë kur ishte në të 90-at. Ai bënte shaka duke thënë se mjeku e kishte këshilluar të mos pinte më puro. Dhe çfarë ndodhi? Bërns buzëqeshi dhe tha:”Mjeku im vdiq para leje!”. Çfarë i bëri të gjithë këta njerëz të suksesshëm për kaq shumë kohë?
Nuk ishin vetëm “gjenet e mira”. Kjo ndodhi sepse ata ishin duke bërë atë që donin, pa marrë parasysh atë që mund të kishte sugjeruar mosha fizike apo familjarët e tyre. Gjithmonë mund të futesh në politikë. Këto ditë, demokratët duket se kanë një slogan të ri:“Mos i beso askujt që është nën 80 vjeç!”.
3. Jini sa më shumë aktiv në moshën e tretë
Në prill të këtij viti, mora morë pjesë në maratonën time të 10-të në Boston si dhe garën e 43-të në distancë (maratonë, gjysmë maratonë, triathlon) dhe po stërvitem për maratonën e 11 prillit të vitit të ardhshëm. Por a nuk është kjo diçka e keqe për kyçet e njeriut?
Unë do t’ju them se çfarë është e keqe për kyçet tuaja:të mos i përdorni ato. Në rast se nuk po e mbani trupin tuaj në formë, përmes lëvizjes, stërvitjes me peshë, ushqimit, suplementeve dhe pushimit të duhur, atëherë jeni duke e shkatërruar atë.
Në vend që të shqetësoheni nga mosha juaj aktuale, pyesni veten:Nëse nuk do ta dinit sa vjeç ishit, sa vjeç do të mendoni se jeni? Nëse ky numër nuk është më i ulët me disa dekada se mosha juaj kronologjike, atëherë shkoni direkt në palestër dhe mos u ankoni për problemet fizike.
Nga ana tjetër shmangini njerëzit që flasin për sëmundje fizike, probleme me paratë, nipërit mosmirënjohës ose çdo gjë tjetër që është negative. Rrethojeni veten me njerëz që veprojnë dhe mendojnë si të rinj, që janë bujarë dhe mirënjohës. Nëse dikush përpiqet që t’ju përfshijë në biseda mbi “kohët e vështira”, nisuni për të bërë ushtrimet tuaja të ditës, duke iu larguar me shpejtësi atyre.
Vendosni vetë se çfarë moshe doni të arrini. Unë? 104. Shkaku i vdekjes? I qëlluar për vdekje në shtrat nga e dashura xheloze. Shkrimtari Mark Tuein tha dikur:”Unë nuk kam nevojë për një mik të ri, derisa të vdesë miku im i vjetër”.
Pra nëse planifikoni të jetoni deri në 100 vjeç ose më shumë, do të keni nevojë për miq të rinj, sepse do t’i mbijetoni miqve të vjetër të mërzitshëm. Pra, ky është plani im 3-pikësh që unë dhe ju të jetojmë mbi 100 vite./CNA
Leave a comment