Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) kanë reaguar në lidhje me rrezikshmërinë e punëtorëve në ndërtimtari, pasi këtij këshilli “ndërtimtaria në vend është rrezikuesi më i madh i jetës së punëtorëve”.
Ky këshill nëpërmjet një reagimi për medie, ka theksuar se Kosova në përgjithësi, kurse Prishtina në veçanti janë shndërruar në kantiere ndërtimi ku është duke u punuar pa orar, “në ditë feste, ditë pushimi, në kushte të rënda atmosferike dhe, madje punohet edhe gjatë natës”.
Sipas KMDLNj-së, numri i lartë i vdekjeve dhe rasteve që kanë pësuar lëndime në vendin e punës, dhe dy rastet e kësaj jave (në Prizren dhe në Gjilan) janë dëshmi që gjendja në këtë sektor nuk është përmirësuar fare.
Reagimi i plotë i KMDLNj-së:
Në Kosovë nuk paraqet lajm nëse ndonjë punëtor lëndohet, bëhet i paaftë përjetësisht për punë apo edhe e humb jetën për faktin se punëdhënësi nuk siguron kushte për punë për të punësuarit, nuk kanë kontrata pune, nuk kanë sigurime shëndetësore e mos të flasim për sigurime të jetës. Në 99 për qind të rasteve e pësojnë punëtorët në 1 për qind të rasteve dënohen simbolikisht punëdhënësit për të vazhduar “vallen e vdekjes” të atyre që për shkak të kushteve të rënda ekonomike detyrohen që të punojnë në kushte skajshmërisht të rrezikshme për jetën, pa pasur fare siguri dhe pa u kompensuar familjet për humbje të jetës.
Kosova në përgjithësi kurse Prishtina në veçanti janë shndërruar në kantiere ndërtimi ku punohet pa orar, në ditë feste, ditë pushimi, në kushte të rënda atmosferike dhe, madje punohet edhe gjatë natës pa pasur aspak konsideratë për sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve. Trafiku është shndërruar në kaos ku kamionët e shumtë me dhe materiale inerte, cisternat me betone dhe mekanizmi ndërtues i rëndë, qarkullojnë nëpër rrugët e kryeqytetit, pa një orar të caktuar dhe pa kufizime drejtimesh kah mund të lëvizin. Jo rrallë kemi raste kur nga kamionët derdhet dheu apo materiali inert apo kur nga gypi i betonjerkës rrjedhë betoni që, përveç se e ndotin rrugën, në shumë raste edhe e dëmtojnë!
Për KMDLNj-në është brengosëse humbja e jetës të punëtorëve, e në disa raste në mesin e të cilëve ka persona të mitur. Inspektorati i Punës së Kosovës nuk ka kapacitet t’i mbulojë të gjitha vend punimet për shkak se numri i inspektorëve është në shpërputhje të madhe me kërkesat për inspektim. KMDLNj, gjithashtu shpreh mospajtim të madh për dënimet e shqiptuara e të cilat janë tejet simbolike. KMDLNj-ja ka kërkuar dhe e përsërit se duhet t’u heqjet licenca e punës për punëdhënësit që nuk sigurojnë kushte për punë me ç’rast rrezikohet jeta e të punësuarve.
Gjithashtu, KMDLNj-ja ka kërkuar që dënimet në të holla të jenë shumë më të larta dhe nga ato mjete të grumbulluara të krijohet një Fond për ata që e pësojnë dhe familjet e tyre. Për një punëdhënës që qarkullon dhjetëra milionë euro në fushën e ndërtimtarisë, dënimi prej 5 apo 10 000 euro është dënim për kafe prandaj edhe ka përsëritje të rasteve. Është e pabesueshme që edhe pas të gjitha jetëve të humbura për shkak të kushteve të punës, askush të mos ketë përgjegjësi para ligjit. Shteti duhet të gjejë një mënyrë që familjet që e humbin anëtarin e familjes duhet të kompensohen dhe ta kenë një pension, jo më të vogël se paga e një të punësuari në ndërtimtari. Ose duhet të ashpërsojë gjobat në rast të humbjes së jetëve apo lëndimeve, ose duhet të rrisë taksat për leje ndërtimi e që një pjesë do të derdheshin në Fondin e viktimave të ndërtimtarisë por edhe në vendet e tjera të punës e ku përgjegjësia është e punëdhënësit. Edhe planifikuesit më amatorë e kanë të qartë se Prishtina nuk ka nevojë për aq shumë ndërtime të banesave me ç’rast po rrënohen lagje të tëra, disa e japin tokën apo shtëpinë me vet dëshirë kurse disa të tjerë janë të kushtëzuar për faktin se këto ndërtime ua bëjnë jetën të pajtueshme duke ua ngushtuar hapësirën jetësore. Ka shumë dyshime se përmes këtyre ndërtimeve kaotike po bëhet pastrimi i parave dhe, deri më tani nuk është bërë asnjë hetim për këtë dhe se kush janë realisht pronarë të tokave. Prandaj, edhe po lejohen të gjitha këto raste që po përfundojnë me dhjetëra e dhjetëra punëtorë, kryesisht raste sociale, që e humbin jetën dhe shumë të tjerë lëndohen në vendin e punës.
Numri i lartë i vdekjeve dhe rasteve që kanë pësuar lëndime në vendin e punës, dhe dy rastet e kësaj jave (në Prizren dhe në Gjilan) janë dëshmi që gjendja në këtë sektor nuk është përmirësuar fare dhe është alarmi i fundit për veprim dhe masa konkrete. KMDLNj-ja vlerëson se, nëse nuk ndërmerren masat parandaluese për sigurimin e kushteve të mira për punë, humbja e jetëve do të vazhdojë kurse, të gjithë ne që e kemi një përgjegjësi, do të merremi me reagime gjykuese dhe me pasoja, që do të jenë shumë më të rënda nëse kemi parasysh që kantieret e ndërtimit kanë metastazuar dhe janë shtrirë pothuajse në çdo pjesë të Kosovës.
Leave a comment