activeKryesoreLajme

NATO: Rast historik për paqe të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se mirëpret qasjen konstruktive nga Kosova dhe Serbia në dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, dhe theksoi se tani është një “rast historik” për të arritur paqe të qëndrueshme.

Këto deklarata ai i bëri pas takimit në Bruksel me presidentin Bajram Begaj, i cili po ashtu shprehu mbështetjen për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve.

“Ne bashkëpunojmë me Bashkimin Evropian dhe mirëpresim takimet në Bruksel në kuadër të dialogut. NATO do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm këtë dialog sepse e shohim si rrugën e vetme të duhur për paqe dhe stabilitet në Kosovë. Kemi një rast historik për paqe të qëndrueshme dhe mirëpres qasjen konstruktive. Është me rëndësi që të dyja palët të dëshmojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis. Secila zgjidhje duhet të ketë parasysh të drejtat e njeriut, fqinjësisë së mirë dhe sundimit të ligjit”, tha shefi i NATO-s.

Deklaratat e Stoltenbergut vijnë pasi Kosova dhe Serbia më 27 shkurt pranuan propozimin evropian për normalizimin e raporteve. BE-ja tha se në takimin në Bruksel, kryeministri kosovar, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, u pajtuan që nuk ka nevojë për diskutime të mëtejme për këtë propozim, që palëve u është dorëzuar vitin e kaluar.

Blloku evropian më pas tha se palët kanë shprehur gatishmërinë që të punojnë në planin për zbatimin e propozimit evropian, që synon të çojë palët drejtë një marrëveshjeje përfundimtare gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Stoltenberg, po ashtu përsëriti gatishmërinë e aleancës ushtarake perëndimore që të sigurojë paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe më gjerë në rajon.

“NATO ka qenë prezent në Kosovë për shumë vite. Prania e KFOR-it [misioni i NATO-s në Kosovë] ka luajtur dhe vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në promovimin e paqes dhe sigurisë së lëvizjes për të gjithë në Kosovë. Aleatët janë të gatshëm të vazhdojnë këtë. Një prani substanciale e NATO-s është dëshmuar e duhur për sigurinë”, tha shefi i aleancës ushtarake perëndimore.

Ndërkaq, presidenti shqiptar, Bajram Begaj, foli për rreziqet e sigurisë me të cilat përballet rajoni i Ballkanit Perëndimor, duke tërhequr vërejtjen nga rreziku që vjen nga ndikimi i Rusisë.

“Rajoni i Ballkanit vijon të kërcënohet nga përpjekjet e ndërhyrjes së Rusisë. Rusia po rrezikon rajonin dhe interesat e NATO-s. Qëllimi i Rusisë është bllokimi i proceseve demokratike në rajon. Kemi ndjekur me shqetësim zhvillimet në veri të Kosovës. Vlerësojmë maksimalisht angazhimin e NATO-s në rajon. KFOR është garantues i paqes në Kosovë dhe rajon. Po kalojmë një kohë kur nevojiten vendime të guximshme. Dhe është koha që të shqyrtohet anëtarësimi i Kosovës në strukturat euroatlantike”, tha Begaj.

Begaj tha se anëtarësimi eventual i Kosovës në NATO do të përbënte “një vlerë të shtuar për aleancën”.

Rreth 50.000 forca të misionit paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, u vendosën në Kosovë pas përfundimit të luftës më 1999 me synim që të garantojnë sigurinë. Aktualisht në vend janë afër 4.000, një numër i konsiderueshëm i të cilëve vijnë nga vendet që nuk janë anëtare të NATO-s.

Kosova në fundin e vitit të kaluar dorëzoi aplikimin për anëtarësim në BE, teksa shteti po ashtu aspiron që të bëhet pjesë fillimisht e Partneritetit për Paqe të aleancës dhe eventualisht të bëhet edhe anëtar i NATO-s.

Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Articles

activeBallinaLajme

Kurti: Po punojmë pa u lodhur çdo ditë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e të gjithëve

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova e rikonfirmon përkushtimin e saj...

activeBallinaLajme

Tentim vrasje në Pejë, policia jep detaje

Të shtunën pas mesnate rreth orës 01:25 ka pasur të shtëna me...

Lajme

FOTO: Katër sekrete për një fizik të jashtëzakonshëm nga Jennifer Aniston

Jennifer Aniston ka zbuluar së fundmi për mediat se çfarë gjërash bën...

Lajme

A janë të dobishme thashethemet në punë? Ja si duhet ti trajtoni bisedat me kolegët dhe të shmangni keqkuptimet mes jush

Le ta pranojmë të gjithë, thashethemet konsiderohen kripa dhe piperi i vendit...