Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, ka replikuar me kryediplomaten Donika Gërvalla, në dyvjetorin e Qeverisë Kurti.
Musliu-Shoshi ka thënë se shihet qartë që kryeministri Kurti e ka “përjashtuar” Gërvallën nga kabineti qeveritar dhe se kompetencat tashmë i ka marrë zëvendësministri Kreshik Ahmeti.
“Zonja Gërvalla më vjen keq që s’je pjesë e kësaj mrekullie që ka ndodhë. Sepse po shihet që Albini të ka përjashtua nga kabineti qeveritar. Kompetencat po shihet që i ke dorëzua te zëvendësministri Kreshniku. Ti përveç që merresh me punët e brendshme të MPJ-së asgjë tjetër s’ke. Edhe ato punë me të cilat merresh brenda ministrisë i ke të jashtëligjshme. Instancat gjyqësore çdo ditë po të kthejnë vendime që je në kundërshtim me ligjin”, ka thënë deputetja Musliu-Shoshi.
Më tutje, ajo i ka thënë Gërvallës se “je e paditur” dhe se “s’merr erë në këtë punë [diplomaci]”
“Në krye të diplomacisë je ti që je jashtëzakonisht e paditur dhe s’merr erë në këtë punë. Përpos përçarjes brenda MPJ s’ke bërë bash asgjë. Kosova s’ka shërbim të jashtëm, as lobim, e njohjet e reja as në shprehje nuk vijnë. Anëtarësimet në institucionet ndërkombëtare janë vetëm në mënyrë dëshirore”, ka thënë deputetja e PDK-së.
Ndaj këtyre deklarimeve të deputetes, ka reaguar Donika Gërvalla duke thënë se shumica e ankesave që janë bërë nuk janë miratuar as 1 për qind e tyre dhe se janë konfirmuar të gjitha vendimet e saj si ministre.
Ndaj Gërvallës ka reaguar përsëri deputetja e PDK-së, duke i thënë Gërvallës se Kurti e ka përjashtuar nga çdo aktivitet, përfshirë forumet ndërkombëtare, procesin e dialogut e takime bilaterale e multilaterale.
“Ministre të paktën të ka hije me qenë e sinqertë. E shkel ligjin në baza ditore, në çdo vendim që e nënshkruan. Ti politikën e jashtme nuk e njeh. Për këtë arsye të ka përjashtuar Albini, nuk je kërkund, asnjëherë. Në asnjë forum ndërkombëtar nuk je, nuk je në dialog, s’je në takime bilaterale, as multilaterale, ti s’ke agjendë të politikës së jashtme” ka përfunduar Musliu-Shoshi.
Leave a comment