Rreth 150 minatorë të Trepçës këtë muaj i kanë marrë pagat me nga 50 euro më pak. Arsye për këtë është një dënim që ka ardhur nga menaxhmenti i ndërmarrjes. Kjo pasi minatorët për disa ditë kishin mbajtur grevë si pasojë e vonesës së pagave.
Ndonëse, sot menaxhmenti i zgjedhur nga Bordi që është emëruar nga Qeveria Kurti, i dënoi punëtorët për mbajtje të grevës, ai dikur thoshte se minatorët janë pjesë e historisë dhe të ardhmes së Kosovës, shkruan Demokracia.com.
Këtë deklaratë Kurti e bëri gjatë manifestimit tradicional “Java e Minatorëve”, në shënim të 34-vjetorit të grevës historike të minatorëve të Trepçës, e cila pati lëkundur themelet e shtetit të atëhershëm të Jugosllavisë.
Kurti njerëzit e të cilit së fundmi dënuan minatorët, kur e kujtonte ngjarjen e 34 vjetëve më parë, thoshte se komuniteti minerar i Mitrovicës me minatorët e Trepçës u kthye nga një grup punëtorësh prej djersës së të cilëve ndërtohej në të gjithë Jugosllavinë, në një kolektiv profesional të organizuar politikisht, nga i cili filloi edhe shpërbërja e Jugosllavisë.
Ai ka thënë ndër të tjera se toka dhe nëntoka e Kosovës janë fati i përbashkët i të gjithëve, ndërsa minatorët janë në qendër të kësaj historie, të tashmes dhe të ardhmes së përbashkët.
“Derisa e kujtojmë grevën e vitit 1989 të minatorëve të Trepçës, 34 vjet më pas, duke kujtuar kapacitetet e atëhershme të saj dhe intensitetin e nivelit të punës sot, sfida e të gjithëve për ‘Trepçën’ dhe posaçërisht e qeverisë, është që nga një gjigant i cili konsiderohet i fjetur, ‘Trepça’ të kthehet në një burim pasurish minerare që nga nëntoka ngrit nivelet e të gjitha stadeve të punës të kësaj ndërmarrjeje përtej çdo kujtese a historie për këtë parajsë nëntokësore. Toka dhe nëntoka jonë janë fati ynë i përbashkët, ndërsa minatorët janë në qendër edhe të historisë tonë, por edhe të së tashmes dhe të ardhmes sonë”, ka thënë Kurti.
Leave a comment