Venkateswari Alagendra, avokatja mbrojtëse e Jakup Krasniqit, tha se fakti që prokuroria insiston se në UÇK ka pasur një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe pretendimi për qëllim të përbashkët kriminal “ishte i njohur dhe publik”, nuk qëndrojnë.
“Kjo i bie që NATO mbështeti një ndërmarrje kriminale të njohur”, tha ajo duke iu referuar bombardimeve të NATO-s, që çuan në fundin e luftës në Kosovë.
Ajo tha se ZPS-ja nuk ka asnjë “provë të besueshme që e lidh Krasniqin me asnjë krim, nuk ka prova për qëllim të përbashkët kriminal”.
Në vazhdimin e fjalës hyrëse të mbrojtjes së Jakup Krasniqit, avokatja Venkateswari Alagendra, tha se prokuroria e ka keqinterpretuar rolin e Krasniqit në UÇK dhe gjithë organizimin e kësaj ushtrie.
“Ai nuk ka qenë në një marrëdhënie hierarkike me autorët fizikë të krimeve. Ai nuk kishte aftësi për të kontrolluar në mënyrë efektive ndonjë ushtar”, tha Alagendra.
Sipas saj, prokuroria ka dështuar ta bëjë lidhjen e krimeve të pretenduara me vendndodhjen fizike të Krasniqit nëpër periudha të ndryshme kohore gjatë vitit 1999.
Alagendra deklaroi se “prokuroria duket sikur është bërë pjesë e propagandës kundër UÇK-së”.
“Provat do të tregojnë se organizimi i UÇK-së ishte i ndryshëm në vende të ndryshme dhe kohë të ndryshme”, tha ajo dhe shtoi se UÇK-ja asnjëherë nuk ka pasur një hierarki vertikale të komandës.
Leave a comment