Një mbledhje jozyrtare në rezidencën e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier do të mbahet pas pak. SHBA-ja i ka shtuar përpjekjet për ta bërë kryeministrin e Kosovës që ta pranojë themelimin e Asociacionit. Ndërkaq pushteti dje dhe sot e ka shtuar kundërshtimin në këtë çështje.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë shtuar presionin ndaj Kosovës për ta themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Përpjekja për ta bindur kryeministrin Albin Kurti është bërë më konkrete këto ditë.
Ambasada e SHBA-së në Prishtinë e konsideron produktiv diskutimin e 31 janarit për Asociacionin. Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier e ka thirrur një mbledhje jozyrtare në rezidencën e tij për t’i vazhduar bisedimet për këtë çështje.
“Pas diskutimit produktiv më 31 janar me një gamë të gjerë aktorësh në Ambasadën e SHBA-së, Ambasadori do ta thërrasë një mbledhje jozyrtare në rezidencën e tij për ta lehtësuar bisedën e mëtejshme. Nuk ka asnjë program zyrtar apo temë diskutimi”, i tha Expressit të mërkurën një zëdhënës i Ambasadës.
Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e theksuan rezistencën dje dhe sot.
Kurti tha sot në Kuvend se “po zhvillohet një betejë e madhe politike dhe diplomatike” për ta bërë Asociacionin çështjen më të rëndësishme të planit franko-gjerman.
“Beteja politike që aktualisht po zhvillohet është kjo: në njërën anë prej 33 marrëveshjeve, Beogradi do ta përzgjedhë vetëm një që e ka më të dashur, 19 prillit 2013, atë të Asociacionit. Ato marrëveshje nga pikëpamja e Qeverisë së Kosovës nuk kanë hierarki, as vlerore, as logjike. Ato kanë rend kronologjik, nuk janë nënshkruar të gjitha në të njëjtën ditë”, ka thënë Kurti.
Paraprakisht, kryeministri postoi në Facebook një grafik të komunave në Serbi që udhëhiqen nga kryetarë joserbë dhe pyeti pse pse minoritetet atje s’mund të formojnë asociacione njëetnike.
“Minoritete në Serbi zyrtarisht llogariten 21 sosh: kroatët, bunjevcët, bullgarët, boshnjakët, shqiptarët, hungarezët, romët, rumunët, rusinët, sllovakët, ukrainsët, lidhja hebreje, ashkalinjët, vllehët, grekët, egjiptianët, gjermanët, sllovenët, çekët, maqedonët, malazezët. 11 komuna në Serbi udhëhiqen nga kryetarë joserb. Asociacione një-etnike komunash do të mund të formonin hungarezët, boshnjakët, shqiptarët dhe bullgarët. Pse Serbia nuk ua mundëson këtë, përderisa e kërkon një gjë të tillë në Kosovë?”, shkroi ai.
Kryeparlamentari Konjufca të mërkurën në një intervistë në ‘dPt te Fidani’ në T7 tha se ai ka argumente që zyrtarët nga Washingtoni dhe Brukseli “kanë dalë prej binarëve” të planit franko-gjerman, i cili sipas tij e ka njohjen ‘de facto’ në përmbajtje.
“Unë kam argumente që edhe zyrtarët nga Washingtoni, edhe zyrtarët nga Brukseli në gjuhën e tyre nuk po e kanë njohjen në qendër. A e di çfarë po kanë në qendër? Asociacionin po e kanë në qendër”, tha Konjufca.
Në planin franko-gjerman, Konjufca tha se “Asociacioni është njëfarë forme që ne duhet ta zbulojmë që Serbia me e konceptu që ne i bëmë kompromis asaj”.
“Tash zyrtarët nuk janë duke e thënë kështu”, theksoi ai.
Ndërsa presioni ndërkombëtar është rritur, kryeparlamentari e përshkroi qëndrimin për Asociacionin me një anekdotë.
“Është vështirë të bëhet. Asociacioni tash është si një farë lloj beteje pak me mullinjtë e erës. Me e bë atë është si ajo anekdota, që i kërkohet atij djalit një zinxhir prej zallit të detit. Me bë zinxhir prej zallit të detit. A mundesh me bë zinxhir prej zallit të detit?”.
Konjufca tha se Serbia kërkon “autonomi territoriale në Kosovë” dhe se kjo “nuk është e mundshme”.
“Asociacioni si formë e negociatave mes Serbisë dhe Kosovës, kurrë nuk ka me u bë. Vuçiqi nuk e pranon një Asociacion joekzekutiv, Kosova nuk e pranon një Asociacion me kompetenca ekzekutive”, tha ai.
Konjufca tha se Asociacioni nuk mund të bëhet pa kryeministrin. E edhe nëse gjendet një kryeministër që është i gatshëm ta bëjë Asociacionin, ai tha se “dikush gjithmonë e organizon popullin për me e ndalë”.
“Unë nëse nuk jam në këtë karrige, jam në rrugë për me e ndalë këtë punë”, tha Konjufca.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi u irritua kur të mërkurën gazetarët e pyetën për Asociacionin.
“Asociacioni po ju intereson më shumë se festimi i Ditës së Pavarësisë”, tha ai.
Megjithatë, një përgjigje e pati.
“Plani franko-gjerman i tregon kornizat bazë, që nënkupton njohjen ‘de facto’ të dy shteteve, ndërkaq se si do të ecë sekuencimi i hapave, cilat marrëveshje nuk janë më të rëndësishme, cilat duhet të modifikohen, cilat të zbatohen, si të zbatohen, për këtë pastaj diskutojnë palët në Bruksel”, tha Bislimi.
Leave a comment