18 ankesa janë deponuar deri më tani për Ligjin për Paga në Sektorin Publik, në adresë të Institucionit të Avokatit të Popullit.
Nga ky institucion kanë treguar se vetëm pas shqyrtimit të ligjit dhe ankesave, atëherë ky institucion do të del më një qëndrim të qartë.
“Deri më tani, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka pranuar 18 (tetëmbëdhjetë) ankesa kundër Ligjit për Paga në sektorin publik. Institucioni i Avokatit të Popullit është duke i trajtuar këto ankesa, dhe po ashtu është duke analizuar ligjin në fjalë, dhe pas kësaj, Avokati i Popullit do të del me një qëndrim në lidhje me këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e institucionit të Avokatit të Popullit, për Front Online.
Nga institucioni i Avokatit të Popullit kanë bërë të ditur se ankesat janë nga sektorë të ndryshëm.
“Ankesat kanë ardhur nga sektorë të ndryshëm, si nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, auditorë të brendshëm, zyrtarët komunal të arsimit të Komunës së Prizrenit, Shoqata sindikale e shërbimit s’ provues të Kosovës, nga organizata Instituti Kosovar i Drejtësisë (IKD), infermierët, mjekët që punojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, laborantë të lartë mjekësor, oda e fizioterapeutëve të Kosovës, sindikata e Policisë së Kosovës, Komisioni Qendror Zgjedhor, Qendra për pajisje të dokumenteve, Shoqata e Instrumentarëve të Kosovës”, thuhet më tutje në përgjigjen e këtij institucioni.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të Qeverisë ka bërë publik vlerën e koeficientit.
Vlera e tij për këtë vit do të jetë 105 euro, ndërsa në vitin tjetër 110 euro.
Më këtë koeficient nuk janë pajtuar disa sindikata në vend, të cilët po kërkojnë që vlera të jetë 120 euro.
Ligji për Pagat në Sektorin Publik ishte miratuar në dhjetor të vitit të kaluar me 63 vota për. Deputetët e tri partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK, nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e Parlamentit.
Leave a comment