Prokuroria Speciale e Kosovës s’e ka ende asnjë të dyshuar për rastin e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Nga ky institucion thonë vetëm se kanë intervistuar një numër të konsiderueshëm të personave në cilësi të dëshmitarëve dhe se kanë ndërmarr veprime konkrete që do t’i ndihmojnë në rrjedhën e procedurës të mëtutjeshme hetimore.
Para dy muajsh, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu doli në një konferencë të jashtëzakonshme për media, prej ku njoftoi se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit. Këto mostra po ruheshin në Laboratorin e Toksikologjisë, që funksionon në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Por, se kush i zhduku, s’dihet as sot kur kanë kaluar disa javë. Nga Prokuroria Speciale i kanë thënë Gazetës Express se s’ka ende asnjë person të dyshuar për rastin.
Zëdhënësi i Prokurorisë, Ekrem Lutfiu, i ka thënë Gazetës Express se kanë intervistuar një numër të konsiderueshëm të personave në cilësi të dëshmitarëve.
Sipas tij, Prokuroria ka ndërmarr veprime konkrete që do t’i ndihmojnë në rrjedhën e procedurës të mëtutjeshme hetimore.
“Duke iu referuar e-mailit tuaj lidhur me pyetjet e juaja, për rastin e zhdukjes së provave në çështjen Dehari, ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka intervistuar një numër të konsiderueshëm të personave në cilësi të dëshmitarëve. Po ashtu, ju informojmë se kemi ndërmarr veprime konkrete që do të na ndihmojnë në rrjedhën e procedurës të mëtutjeshme hetimore. Për momentin nuk kemi ende persona të dyshuar në këtë çështje. Duke pasur parasysh se ende jemi në fazën e hetimeve nuk mund të japim informata tjera lidhur më këtë çështje”, thuhet në përgjigjet e Lutfiut.
Një ditë para se Haxhiu të dilte në konferencë për media, rastin në Polici e kishte raportuar një zyrtare e Laboratorit të Mjekësisë Ligjore.
Në raportin 24 orësh të Policisë, rasti ishte cilësuar si “Manipulim me prova”.
“MANIPULIM ME PROVA- Prishtinë, Tetor 2021-07.12.2022 Dëshmitarja femër kosovare zyrtare e Laboratorit të Mjekësisë Ligjore ka raportuar se gjatë seleksionimit, klasifikimit dhe bartjes së mostrave, kanë vërejtur se mungojnë disa mostra biologjike të një rasti. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit, rasti vazhdon të hetohet nga njësitë kompetente”, thuhej në raport.
“Vetëm 3 persona i kanë çelësat ku ruhen mostrat”
Në konferencën kur kishte njoftuar për këtë rast, Haxhiu e kishte quajtur këtë akt të rëndë dhe kriminal.
“Mbrëmë në orët e vona jam njoftuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në kuadër të institutit të Mjekësisë Ligjore. Ky është një akt i rëndë, ky është një akt kriminal. E kam njoftuar kryeprokurorin e shtetit Besim Kelmendin dhe drejtorin e policisë Fehmi Hotin. Kam vizituar IML-në”, kishte thënë Haxhiu.
Ministrja kishte treguar edhe se në atë hapësirë të IML’së kishin qasje vetëm tre persona, derisa ishte zotuar se autorët që kanë zhdukur mostrat nga laboratori i IML-së, do të gjinden dhe se rasti do të zbardhet.
“Në mbajtëset e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, 1 epruvetë e urinës dhe 1 epruvetë e lukthit. Nga kjo dy epruveta ia kanë dhënë Institutit Zviceran dhe një policisë për ADN. Aktualisht sipas informacioneve, mungojnë 12 epruveta me gjak, 1 e urinës dhe 1 e lukthit. Në vendin ku rrinë epruvetat kanë qasje vetëm 3 persona, pra vetëm 3 persona i kanë çelësat ku ruhen mostrat”, tha Haxhiu.
Katër pezullime e një dorëheqje për zhdukjen e mostrave
Për këtë rast, Ministria e Drejtësisë kishte pezulluar nga puna katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ata që u pezulluan ishin Nardi Sheqergjiu, toksikolog mjekoligjor, Flutura Goga, udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë, Anila Lakna, teknike e Laboratorit të Toksikologjisë dhe Ilirjana Shala, kimiste në këtë Institut.
Ndërsa dorëheqje dha zëvendësdrejtori i IML’së, Naim Uka. Uka i kishte thënë Gazetës Express se dorëheqja ishte morale.
“Kam dhënë dorëheqje morale dhe të parevokueshme nga pozita e zv. Drejtorit te IML-së”, kishte deklaruar Uka.
Pezullime tjera për rastin Dehari
Pezullime për rastin Dehari ka pasur edhe në Shërbimin Korrektues të Kosovës. Më 21 shtator, SHKK ka njoftuar se ka pezulluar nga puna, Burim Buleshkaj, ish-Ushtrues Detyre i Drejtorit të Departamentit për Operativë Siguri dhe Transport të të Burgosurve në SHKK, dhe Destan Zogajn, Zyrtar Korrektues, ish UD-Drejtor në Qendrën e Paraburgimit Prizren.
Sipas njoftimit, ndaj tyre është iniciuar procedurë disiplinore për shkelje të rëndë “lidhur me veprimet, mosveprimet në rastin e ngjarjes së rëndë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të vitit 2016.”
“Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës ka vlerësuar se ushtrimi i detyrës në funksionet të cilat i kanë, pengon hetimin disiplinor apo mund të cenojë ushtrimin e përshtatshëm të detyrës. Andaj, Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës vendosë pezullimin e nëpunësve civil, për të vazhduar tutje me procedurat hetimore dhe të rishqyrtimit të të gjitha rrethanave lidhur me ngjarjen dhe përgjegjësitë”, thuhet në njoftimin e SHKK’së.
Po në shtator, edhe Ylber Topalli është pezulluar nga puna e kryeinspektorit të Inspektoratit lidhur me rastin e Astrit Deharit.
Këtë e kishte konfirmuar Flamur Pireva, këshilltar politik në Ministrinë e Drejtësisë.
“Procedura disiplinore ndaj z. Topalli është iniciuar për pretendimet e shkeljeve të rënda procedurale që janë të ndërlidhura me rastin e ngjarjes së Astrit Dehari, që kishte ndërruar jetë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor 2016. Me këtë rast, pas konstatimit të gjetjeve të Raportit të cilat i kemi proceduar edhe në Prokurori të Shtetit, bëjmë thirrje dhe theksojmë nevojën e vazhdimit të procedurave hetimore për trajtimin e mëtutjeshëm të të gjitha rrethanave deri në zbardhjen përfundimtare të këtij rasti”, kishte thënë Pireva.
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, që po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, kishte vdekur në rrethana ende të pasqaruara në nëntor të vitit 2016.
I ndjeri se bashku me pesë aktivistë të tjerë të LVV-së, po hetohej nën dyshimin se kishin planifikuar dhe organizuar sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës me datën 4 gusht 2016.
Të njëjtit janë liruar nga akuza më 27 dhjetor të vitit të kaluar.
Leave a comment