Analistët politikë kanë mendime të ndryshme sa i përket pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Shkak i kësaj gjendje po fajësohet Qeveria me veprimet e fundit në veri të vendit, raporton Ekonomia Online.
Analisti politik, Bekim Kabashi u shpreh se veprimet e institucioneve qeverisëse janë të pamatura dhe se dëmi që po i shkaktohet Kosovës është i madh.
Ai konsideron se kryeministri Albin Kurti, po mundohet ta sabotojë procesin e dialogut pasi po i kërkohet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Për këtë të fundit, Kabashi thotë se qëndrimet e Kurtit sa ishte në opozitë, nuk po mund ta lejojë ta nënshkruajë Asociacionin, ndonëse është zotuar në Bruksel e Ohër.
“Kosova kurrë nuk ka qenë në pozicion më të rëndë prej që ka filluar dialogu me Serbinë, për arsye se në krye të Qeverisë është një kryeministër i cili në pushtet ka ardh duke e demonizuar Asociacionin. Asociacioni është paraqitur në publik se është një Republika srpska e i cili e defunksionalizon Kosovën dhe tani duke qenë në krye të shtetit dhe në një proces të dialogut ku i kërkohet ta themelojë Asociacionin, zotëri Kurti nuk mundet me tejkalu vetveten dhe duke mos mundur ta tejkalojë vetveten pavarësisht që është pajtuar në një marrëveshje me Serbinë në Bruksel e Ohër që ka marrë zotime për me e implementu Asociacionin, tani po mundohet me sjelljet e tij politike sidomos në veri, po mundohet ta sabotojë atë proces”, thotë Kabashi.
“Ne e kemi parë që ka dalë kundër marrëveshjes së Ohrit në kuptimin e implementimit të saj duke ndërmarrë veprime më veri të vendit pa koordinim me Bashkësinë Ndërkombëtare e cila i ka kërkuar t’i bëjë disa hapa të ndërmjem pavarësisht situatës nuk e ka kundërshtuar e sidomos ShBA-ja për me mbajt zgjedhje Kosova në atë pjesë”, u shpreh Kabashi.
Kabashi konsideron se vendimi i Kurtit për targa, ka qenë gabimi më i madh me ç’rast filluan tensionet. Thotë se ka qenë entuziast për ta implementuar një marrëveshje të nënshkruar nga ish-kryeministri Hashim Thaçi.
“Nuk mund t’i thuash se ka bërë gabime por ka zgjedhur një rrugë të tillë pra kryeministri i Kosovës me vetëdije e ka zgjedh këtë rrugë se nuk është që ka qenë shumë entuziast i vendosjes së implementimit të një vendimi të nënshkruar atë kohë prej oponentit tij kryesor politik, Hashim Thaçi që ka qenë vendimi për targat, vendim për të cilin ShBA-ja i kanë kërkuar që mos me marrë këtë kohë por me e shty për një periudhë një vjeçare pasi në proces është dialogu i cili ka për qëllim me e rregullu një çështje shumë të madhe se sa për një temë krejt teknike që janë targat, sepse procesi i dialogut ka për qëllim me i përmbyll të gjitha problemet Kosovë-Serbi dhe jo vetëm targat”, thotë ai.
Teksa ka folur për problemet në veri të vendit, Kabashi nuk është shumë optimist se mund të përfundojnë edhe pas formimit të Asociacionit. Thotë se për të pasur qetësi, janë garancat e ndërkombëtarëve.
“Ato mund të mos përfundojnë në mënyrë të shpejtë sepse pavarësisht që palët mund të mbërrijnë një marrëveshje me themelu Asociacionin, sigurisht se ka me pas telashe edhe në proces të themelimit por kanë me qenë brenda asaj kornize të marrëveshjes dhe brenda kornizës shtetërore të Kosovës sepse nëse Kosova pajtohet me Serbinë për themelim të Asociacionit dhe serbët pajtohen njëjtë, ata kanë me u integrua brenda institucioneve të Kosovës sepse pavarësisht që u jep një vetëqeverisje të nivelit më të lartë se sa që e kanë aktualisht komunat, ajo është brenda institucionit të Kosovës dhe sigurisht se do të prodhojë qetësi, për arsye se janë edhe garancat e Perëndimit”.
Ndërsa eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, rolin e Kosovës në arenën ndërkombëtare e vlerëson si të njëjtë, ndonëse e pranon largimin e ushtrisë nga ushtrimet ndërkombëtare “Defender 23’”.
“Në arenën ndërkombëtare është përafërsisht ajo që ka qenë, ka luhatje pak sepse po duan ta bindin Serbinë që nuk e kanë të përkëdhelurin e botës Kosovën por për shembull se ka disa kërcënime me largimin e FSK-së nga ‘defender 23’ por NATO-ja organizon të tilla ushtrime shpesh herë por që nuk është ndonjë sanksion kushedi çfarë por gjithsesi një është e sigurt sepse Amerika nuk ‘çon dorë’ mbi Kosovën sepse e ka Kampin Bondsteel dhe jemi populli më i besuar i tyre”, u shpreh Tërnava.
Leave a comment