Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka takuar Përfaqësuesin e Përhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Ambasadorin Michael Carpenter.
Gjatë takimit u bisedua për vazhdimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe OSBE-së.
Në takimin e përbashkët me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, u diskutua edhe për zhvillimet politike në vend dhe situatën politike në rajon.
Duke folur për proceset dhe çështjet lidhur me dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe temat e tjera të ndërlidhura, Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve.
Kryeministri Kurti tha se propozimi evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i pranueshëm si bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe platformë solide për të ecur përpara.
Leave a comment