Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u prit sot në Athinë nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis në pallatin Maximos, me të cilin pati një takim dypalësh.
Fillimisht, kryeministri Kurti i uroi homologut të tij grek, Mitsotakis për rizgjedhjen e tij kryeministër dhe mandatin e ri qeveritar, duke ofruar bashkëpunim të ngushtë në tema të interesit të përbashkët.
Siç bëhet me dije në njoftimin për medie, kryeministri Kurti tha se Kosova dhe Greqia gëzojnë marrëdhënie të mira të cilat po përmirësohen vazhdimisht si në rrafshin ekonomik përmes rritjes së shkëmbimeve tregtare ashtu edhe në rrafshin politik përmes vizitave të shpeshta të krerëve institucional të të dy shteteve.
Ai e falënderoi kryeministrin Mitsotakis për ftesën dhe për darkën e mbrëmshme në të cilën ishin të pranishëm liderët e Ballkanit Perëndimor si dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, kryeministri i Rumanisë Marcel Ciolacu, kryeministri i Bullgarisë Nikolai Denkov, dhe presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.
Në këtë takim Kurti e Mitsotakis biseduan edhe për dialogun në Bruksel dhe bashkëpunimin rajonal.
Kryeministri Kurti tha që tashmë është një marrëveshje porse nevojitet zbatimi i plotë i saj dhe pa kushtëzime.
Kujtoi që pas dakordimit të Bratislavës po bëhen dy muaj pa asnjë incident e protestë të dhunshme në katër komunat në veri të Kosovës. “Pra kemi një situatë të de-eskaluar e ku fokusi duhet të jetë tek parandalimi i ri-eskalimit nga elementë të dhunshëm”, citohet të ketë thënë Kurti.
Takimi u dominua nga diskutimi në forcimin e marrëdhënieve ekonomike.
Kryeministri Mitsotakis e falënderoi për pjesëmarrjen në darkë kryeministrin Kurti dhe tha se është i interesuar të forcojë lidhjet ekonomike teksa shprehu interesim për sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Kryeministri Kurti veçoi rritjen ekonomike për çerekun e parë të këtij viti që qëndron në 3,9 për qind dhe rënien e shkallës së inflacionit nga 11,9 për qind sa ishte në janar në 2,8 për qind në qershor si dhe progresin në indikatorët e demokracisë.
“Tha se me strategjinë e re për energjinë, qeveria është zotuar që gjenerimet e reja në energji të jenë nga burimet e ripërtëritshme, pra solare dhe nga era. Përmendi sektorët në rritje të prodhimit të ekonomisë sikurse atë të përpunimit të metaleve dhe të drurit, tekstilit, ushqimit dhe pijeve si dhe sektorin e shërbimeve dhe teknologjisë informative”, bëhet me dije në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Kryeministri Kurti e ftoi kryeministrin Mitsotakis për vizitë dhe për më shumë investime në Kosovë. Shkëmbimi tregtar me Greqinë vitin e kaluar ishte 308 milionë euro, një rritje prej mbi 40 për qind apo afër 100 milionë euro krahasuar me 2021.
Gjersa shprehu keqardhjen për zjarret që kanë përfshirë një pjesë të Greqisë, kryeministri Kurti ofroi ndihmën e Republikës së Kosovës në përballimin me zjarret përmes njësiteve të kërkim-shpëtimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Leave a comment