Eksperti i sigurisë, Adrian Shtuni, ishte i ftuar këtë të shtunë në Euronews Albania, ku foli në lidhje me përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës.
Shtuni tha se deklarata e fortë e DASh-it, ku lëshoheshin sinjale alarmi dhe dënoheshin veprimet e nëjanshme të Kosovës, është tregues se është kaluar vija e kuqe nga kryeministri Kurti.
Eksperti theksoi se Kosovës në këto momente nuk i duhet një Oso Kukë, por një Ismail Qemal, pasi veprimet e njëanshme do të çonin në një izolim të plotë ndërkombëtar.
“Në momentin që Antoni Blinken të thotë që dënojmë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës të cilët kanë përshkallëzuar në mënyrë të panevojshme tensionet në veri, duke minuar përpjekjet tona për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kjo do të ketë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe”.
“E dini çfarë do të thotë kjo? Kjo është përtej paralajmërimit! E dini sa rrallë përdor Departamenti i Shtetit shprehje të tilla si ‘dënojmë ashpër veprimet e një qeverie’, në rastet kur Koreja e Veriut bën teste bërthamore. Kjo gjuhë mund të përdoret në takime private, por nëse bëhet një deklaratë publike e këtij toni, këtu ke kaluar një vijë të kuqe. Kjo deklaratë nuk është dërguar nga një organizatë ndërkombëtare apo nga ndonjë OJQ, por është dërguar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Pra këtu duhet t’i vihet gishti kokës. Kosovës nuk i duhet Oso Kuka, Kosovës i duhet Ismail Qemali. Kjo lloj mënyre e të vepruarit të çon te izolimi”, tha Shtuni.
Leave a comment