“Nuk kemi nevojë për aleatë të rinj, por për Aleanca të reja”, thotë Albin Kurti në vitin 2016, në një emisioni në Radiotelevizionin e Kosovës, duke aluduar në thellim dhe zgjerim të raporteve të Kosovës me Botën Perëndimore (ose të paktën ashtu ishte besuar atëherë).
Gjashtë vjet më vonë, në vitin 2023, Kurti si kryeministër, pikërisht nga kjo Botë Perëndimore ka pranuar masa ndëshkuese/sanksione, për shkak se ka prekur një nga dy vijat e kuqe të partnerëve euroatlantikë.
Kushdo që “përfshihet në biznese ilegale trans-atlantike”, apo “me veprime rrezikon destabilitet me potencial konfliktin”, sanksionohet nga Perëndimi dhe Kurti ka shkaktuar këtë të dytën kur me veprime të pakoordinuara dhe të njëanshme ka dërguar nën asistencën e policisë në objektet komunale kryetarët e dalur nga zgjedhjet në katër komunat veriore.
Veprimi i papëlqyeshëm ndodhi me 26 maj. Qysh nga ajo ditë Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Evropian paralajmëruan Kurtin për të ndryshuar kurs, duke i prezantuar edhe një plan de-përshkallëzimi dhe duke e njoftuar se mund të shkohet deri në vendosjen e masave shtrënguese, por ishte e kotë.
Madje, me 27 qershor, një ditë para se zyrtarisht Bashkimi Evropian ta njoftojë Qeverinë e Kosovës për masat, Kurti kishte pranuar një telefonatë nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Kryeministri e njoftoi bisedën me Von der Leyen në profilin e tij në Twitter, por rrejshëm.
Ai kishte shkruar se pati një bisedë “të përzemërt”, me presidenten, por siç raportoi po atë ditë Albanian Post, Von der Leyen e kishte telefonuar vetëm për një arsye, t’ia thotë personalisht se koha e dhënë për të kishte përfunduar dhe për t’i treguar saktësisht se cilat ishin masat që do ndërmerreshin ndaj Qeverisë së tij.
Një ditë më vonë, me 28 qershor, BE i dërgon letër Kurtit ku sqarohej se tashmë “është pezulluar programi i fondeve për Kosovën dhe propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të kornizës së investimeve të Ballkanit Perëndimor”, se “është pezulluar puna e organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit”, dhe gjithashtu “është pezulluar mbështetja e vazhdueshme përmes procedurave të prokurimit dhe nënshkrimi i kontratave”.
BE gjithashtu ka pezulluar fondet për Kosovën në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Para-anëtarësimit (IPA), që përbën shumat më të mëdha të parave në formë direkte që Kosova merr si ndihmë nga cilido vend i botës.
BE, në kuadër të këtyre sanksioneve, ka pezulluar edhe shqyrtimin e propozimeve të paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF).
Sa i përket nivelit politik të masave shtrënguese, është pezulluar çfarëdo takimi dypalësh, përveç atyre që kanë të bëjnë me krizën në veri të Kosovës.
Për këto masa, dhe të tjera që mund të vijnë nëse nuk ndryshon kurs qeveria dhe nuk fillohet me planin për de-eskalim, Albanian Post pati raportuar me 13 qershor, atëherë kur edhe i ishin prezantuar Kurtit.
“Pika ku të gjithë në komunitetin perëndimor pajtohen është që, nëse nuk reflekton, Kurti duhet izoluar!”, pati thënë atëherë burimi i Albanian Post, duke shtuar se “një nga hapat e parë do të jetë rishikimi i asistencës që vjen nga programet e para-anëtarësimit në BE”, çka u konfirmua edhe me vendim zyrtar tashmë nga Bashkimi Evropian duke bllokuar fondet nga IPA.
Siç e ka thënë edhe ambasadori amerikan në intervistën e tij të fundit, Jeff Hovenier, të gjithë “jemi të hutuar” nga sjellja e Kurtit, sepse askush nuk po i kupton veprimet e tij.
Konkretisht, në mes të sanksioneve nga Perëndimi dhe largimit të kryetarit Lulzim Hetemi nga objekti i ndërtesës, Kurti ka zgjedhur ngujimin e Hetemit.
Tashmë zyrtarisht, Kosova është në hartën evropiane të zonave që kanë masa shtrënguese nga BE.
Në këtë hartë, e cila gjendet në faqen zyrtare të BE-së, janë shtete si Rusia, Siria, Irani, Venezuela, Kongo, Libia dhe Koreja Veriore.
Në të njëjtën faqe mund të gjendet një manual i gjerë që shpjegon procesin kompleks të vendosjes së masave për një shtet dhe arsyet e ndryshme përse vendosen ato.
Në sajtin e BE-së sqarohet se sipas politikave të Unionit, “Bashkimi Evropian intervenon kur është e nevojshme të parandalojë një konflikt, apo si përgjigje ndaj ndonjë krize aktuale, apo të tjera që rrezikojnë të shfaqen”.
Situata në Veri të Kosovës është pikërisht një krizë që BE ka drojën se mund të përshkallëzohet deri në një konflikt dhe fajtore për situatën e fundit e bën Qeverinë e Kosovës për shkak të veprimeve pakordinim kur vendosi njëanshëm të dërgojë katër kryetarët e komunave veriore ta ushtrojnë funksionin në ndërtesat komunale.
Vendosja e masave shtrënguese/sanksioneve nga BE për Kosovën përbën rastin e parë kur një organizatë e shteteve demokratike i vendos shtrëngime një shteti tjetër demokratik. Nga BE kanë thënë në vazhdimësi se masat mund të jenë të kthyeshme, nëse kthehet edhe kursi aktual i Kurtit.
Por nëse ndodh e kundërta dhe nuk de-përshkallëzohet situate, atëherë do përshkallëzohen masat.
Mbështetur në burime amerikane, të përfshira thellë në procesin negociator, AP ka raportuar se gjithë kjo mungesë koordinimi dhe këto veprime të kundërta me sa janë kërkuar nga komuniteti euro-atlantik nuk do të lihen pa u ndëshkuar me masa që shkojnë më larg se ato të prezantuara aktualisht,
Leave a comment