Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar planin franko-gjerman, pa u shpjeguar qytetarëve se çfarë përmban ai.
Krasniqi ka pyetur se ku kanë mbetur kushtet e Kurtit e cilat prej tyre janë plotësuar.
“Kryeministri Kurti sot deklaroi se e ka pranuar propozimin franko-gjerman, pa shpjeguar asnjëherë për qytetarët e Republikës së Kosovës se çka përmban ai propozim. Kështu, ai i dha drejtim një marrëveshjeje në fshehtësi, pa asnjë transparencë, duke lënë shumë pyetje pa përgjigje të cilat i brengosin qytetarët tanë.
Ku mbetën kushtet e tij? Cilat prej tyre u plotësuan e cilat jo? A janë përfshirë në këtë plan edhe kushtet e Serbisë? A është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe a është pjesë e saj edhe themelimi i Asociacionit? Mbi të gjitha, a e përfshinë kjo marrëveshje njohjen e ndërsjellë?”, ka shkruar Krasniqi në Facebook
Ai ka theksuar se PDK-ja i ka bërë të qarta kohë më parë pesë shtyllat që i pret nga marrëveshja potenciale me Serbinë. “Gjithçka më pak është humbje e madhe për Kosovën, për të cilën, përgjegjës i vetëm do të jetë Albin Kurti”, ka shkruar Krasniqi.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka theksuar Kurti e ka pranuar planin franko-gjerman pa treguar se çfarë përmban ai.
Sipas tij kushtet dhe rezistenca e Kurtit ndaj presionit të ndërkombëtarëve për themelimin e Asociacionit të komunave më shumicë serbe do të mbahen mend për siç ka thënë Tahiri, avullim në kohë rekord.
“E pranoi planin franko-gjerman. Pa pasur guxim të thotë se cili është në të vërtetë ai plan, çfarë përmban, sa pika, sa prej tyre pika kompromisi e sa në favor të Kosovës dhe në përputhje me Kushtetutën. Pra, katër ditë rezistencë prej letre dhe kushtet e Kurtit, me gjasë do mbahen mend për avullim në kohë rekord. Kosovë, urime themelimi i ‘Zajednicës’, dhuratë nga kryeministri, shkëlqesia e tij z. Albin Kurti”.
Kryeministri Kurti të hënën ka theksuar se Kosova e pranon propozimin evropian, të njohur ndryshe si franko-gjerman, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
Ai pas takimit me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se konsideron se propozimi evropian është bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe platformë solide për të ecur para.
Leave a comment