Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, i cili po raporton në Kuvend të Kosovës për marrëveshjen e Ohrit.
Krasniqi ka thënë se Kurti ka këshilltar kryesor Marc Weller, i cili sipas tij, demanton Kurtin në librin e tij.
Krasniqi e ka cituar librin e Wellerit, duke thënë se Vetëvendosja nuk iu takon vetëm popujve, por iu takon edhe grupeve brenda një shteti dhe individëve.
“Kënd e ke këshilltarin kryesor në këtë proces të dialogut? E ke një prej ekspertëve më të mirë në botë, Marc Weller. Marc Wellerin pyete çka është Vetëvendosja dhe kujt i takon. Në librin e tij “Ikja prej kurthit të Vetëvendosjes”, Marc Weller, saktësisht nëse do me e ditë në faqen 23, nëse s’e ke lexuar librin të rekomandoj me e lexu, se flet Vetëvendosjen, thotë që Vetëvendosja nuk iu takon vetëm popujve, por iu takon edhe grupeve brenda një shteti e edhe individëve. Kështu që, kjo është qasja teorike”, theksoi Krasniqi.
Kurti ka thënë paraprakisht se e drejta e vetëvendosjes i takon vetëm popujve. Por, Krasniqi ia ka përmendur me faqe librin e këshilltarit të Kurtit, Marc Weller, ku ai thotë se një gjë e tillë nuk qëndron.
“Serbët the që s’janë popull, janë komunitet. Me këtë logjikë edhe shqiptarët nuk janë popull, por janë komunitet. Kjo është logjikë jugosllave, e kombeve dhe kombësive, e po më vjen keq që në një formë tjetër që logjikën jugosllave të kombeve e kombësive na e theve”, ka thënë – Krasniqi si reagim për fjalët e Kurtit për vetëmenaxhimin e serbëve.
Leave a comment