Nga dje ka filluar samiti i Bashkimit Evropian, ku janë liderët e 27 vendeve. Sigurisht temat më të rëndësishme të diskutimit janë çështja e migrimit dhe azilit. Ndonëse samiti vazhdon edhe sot, tashmë kanë dalë përfundimet e para të Këshillit Evropian. Ani pse nuk ishte temë qendrore, në konkluzat e Samitit përmendet edhe Kosova.
Në pjesën e titulluar “tjera tema”, flitet për Kosovën dhe Serbinë, më saktësisht në lidhje me dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, ashtu siç i referohet BE-ja dialogut në Bruksel. Në dokumentin e Këshillit Evropian nënvizohet nevoja urgjente për progres në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Në dritën e tensioneve të fundit në veri të Kosovës, Këshilli Evropian nënvizon nevojën urgjente për përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, të udhëhequr nga Përfaqësuesja e Lartë.” – thuhet në dokumentin e publikuar më 9 shkurt.
Tutje, Këshilli Evropian ka folur edhe për propozimin franko-gjerman, të cilin e ka mirëpritur dhe i është referuar si shans historik që duhet të shfrytëzohet nga të dyja palët. Natyrisht, në dokument përmendet edhe perespektiva evropiane e Kosovës dhe Serbisë.
“Këshilli Evropian mirëpret propozimin e fundit evropian për të vendosur marrëdhëniet midis të dyja palëve në një bazë të re dhe të qëndrueshme si një shans historik që duhet të shfrytëzohet nga të dyja palët, duke përfshirë edhe realizimin e perspektivës së tyre evropiane.” – theksohet tutje.
Në pjesën e tretë, pra në paragrafin e tretë dhe të fundit, Këshilli Evropian u kërkon palëve të zbatojnë plotësisht marrëveshjet paraprake, duke përfshirë edhe Asociacionin.
“Këshilli Evropian u kërkon të dyja palëve që të zbatojnë plotësisht dhe pa kushte, obligimet për të cilat janë zotuar në kuadër të dialogut, duke përfshirë marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015 për krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe.” – përfundon pjesa e dokumentit mbi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Kujtojmë që kohëve të fundit është shtuar presioni për zbatimin e marrëveshjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kundrejt këtij presioni, Kurti ka vendosur gjashtë kushte për themelimin dhe zbatimin e Asociacionit. Në mesin e këtyre kushteve ishte edhe njohja e Serbisë si kusht për të filluar me themelimin e Asociacionit.
“3. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe, në ndërlidhje me këtë të fundit, vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.” – theksoi Kurti në Kuvend.
Por krjet ndryshe foli dje Kurti në Kuvend. Kryeministri Kurti “shpërtheu” dje në Kuvend kundër Zajednicës, duke e akuzuar Hashim Thaçin, ish-president, dhe Isa Mustafën, ish-kryeministër, për nënshkrimin e saj. Madje, ai i akuzoi edhe opozitën se po i ndryshojnë qëndrimet para Escobarit.
“Asociacioni është Zajednicë e Hashim Thaçit e Isa Mustafës. Falë meje nuk po zbatohet. Sa për juve moti ish kry ajo. Kam përmendur gjashtë kushtet për Asociacionin. Asociacionin që e keni sjell. Zajednica e Thaçit e Isa Mustafës nuk po zbatohet se ka qeveri demokratike. Kur po jep deklarime Escobari po thotë për një njeri nuk ndalet Asociacioni. Në atë momenti ju duhet me dalë me thanë kryeministri nuk është vetë. Por ju nuk dilni.” – vlerësoi Kurti.
Leave a comment