Lajme

Konsiderohet çështje kyçe, Hill thotë se jemi afër themelimit të Asociacionit

Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill tha po vjen zbatimi i Asociacionit, duke besuar se kjo punë është afër të kryhet. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se s’do të ketë autonomi për serbët, por kur u pyet për këtë, Hill tha se ka një konsensus për atë që do të ndodhë. Tashmë pritet të prezantohet shpejt një draft për statutin e Asociacionit dhe Qeveria nuk e ka treguar përbërjen e ekipit menaxhues që do ta bëjë këtë.

Ka disa çështje të diskutueshme nga marrëveshja e arritur së fundmi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por Asociacioni nuk është njëra nga to. Ndërkombëtarët e konsiderojnë të kryer pranimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga ana e Kosovës dhe presin që të formohet shumë shpejt.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, tregoi të premtën se Asociacioni konsiderohet një nga “çështjet kyçe” që do të zbatohen shpejt.

“Shpesh kemi konkluzione të ndryshme, por ajo që është e qartë është se disa çështje kyçe do të zbatohen. Një nga më të rëndësishmet, që u tha edhe nga BE-ja, edhe nga SHBA-ja, është nevoja e krijimit sa më të shpejtë të Unionit të Komunave Serbe. Është e rëndësishme për një sërë arsyesh – sepse është një angazhim afatgjatë, kanë kaluar dhjetë vjet dhe kjo është një arsye për të vazhduar me të. E dyta është edhe më e rëndësishme, dhe ajo është se komuniteti serb që jeton në Kosovë për një kohë të gjatë, e di se cila është e ardhmja e tyre”, tha Hill në një intervistë për Euronews në gjuhën serbe.

Hill tha “po, zbatimi po vjen”, kur u pyet se “a jemi afër formimit” të kësaj bashkësie komunash.

“Nuk dua të them se do të jetë e lehtë, është e qartë se njerëzit kanë ide të ndryshme për këtë, por në fund të procesit do të jetë e qartë se si duhet ta shohin të ardhmen serbët që jetojnë në Kosovë në kushte të vështira për momentin”, tha ambasadori amerikan.

I pyetur për të komentuar deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se “s’ka autonomi për serbët”, Hill tha se bisedimet tregojnë se ka mirëkuptim më të madh sesa që kuptohet nga fjalët.

“Mendoj se këto janë pyetje të vështira, njerëzit ndonjëherë thonë diçka dhe pastaj e bëjnë të gjithë procesin edhe më të vështirë. Unë besoj te ndërmjetësit, besoj në z. Lajçak dhe z. Escobar se ata i kuptojnë qartë të dyja palët – edhe zotin Kurti edhe palën serbe. Mendoj se ka një konsensus për atë që vjen më pas dhe çfarë do të ndodhë. Sigurisht, ka shumë biseda dhe biseda dhe nëse i kalon të gjitha këto në negociata, nuk duket gjithmonë mirë, por ka një mirëkuptim më të madh se sa tregojnë fjalët”, tha Hill.

Kosova thotë se do të ketë disa kritere për Asociacionin, Serbia e mohon

Kryenegociatoriët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq të martën zhvilluan një takim në Bruksel dhe zbatimi i marrëveshjes së fundit ishte temë kryesore.

Pas takimit Bislimi paralajmëroi prezantimin e një drafti për statutin e Asociacionit nga ekipi menaxhues.

Sipas Bislimit, do të jenë pesë kritere përmes të cilave do të shihet se a do të jetë i pranueshëm ai draft si bazë për diskutim. Tha se ato “janë pesë siguresa të mjaftueshme që tregon se ky mekanizëm apo ky lloj i vetëmenaxhimit nuk ka asgjë nga ajo që ne e kemi quajtur Zajednica”.

“E para, a parasheh ky draft një shtresë të re të qeverisjes, e nëse e parasheh nuk konsiderohet i pranueshëm për diskutim të mëtejmë. E dyta, a parasheh të drejta kolektive, nëse po, e merr epitetin e një drafti të papranueshëm”, tha ai të enjten në raportimin para Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës.

“Në ç’masë është në harmoni në marrëveshjet e 2013 dhe 2015, vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, si dhe, në ç’masë është në harmoni me letrën që [ish-Përfaqësuesja e Lartë, Federica] Mogherini ia ka dërguar Qeverisë se çfarë kompetenca mund të ketë Asociacioni”, shtoi Bislimi.

Për këto kritere, zëvendëskryeministri tha se “ka një dakordim të plotë në Bruksel”.

Kryenegociatori serb, Petar Petkoviq reagoi shpejt duke thënë se Bislimi “po i sajon gjërat”.

“Një gënjeshtër e pastër e Bislimit! Në Bruksel nuk u përmend asnjë fjalë për “pesë kriteret për Asociaiconin” për të cilat ai flet sot. Ata folën për Statutin e Asociacionit dhe Ekipin Menaxhues. Bislimi po i sajon sërish gjërat, duket se dëgjoi atë që donte, jo atë që thuhej”, shkroi Petkoviq në Twitter, duke thënë se Asociacioni mund të bëhet “vetëm në përputhje me marrëveshjet nga viti 2013 dhe 2015”.

‘Ndërhyrja’ e BE-së

Në Bruksel nuk e kanë konfirmuar e as mohuar atë që e tha Bislimi. Por zëdhënësi kryesor për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Europian, Peter Stano i tha Gazetës Express në një përgjigje me shkrim se palët “duhet të shmangin çdo retorikë dhe veprime kundërproduktive/jokonstruktive që kanë potencial ta prishin zbatimin dhe ta rrezikojnë stabilitetin në terren”.

“BE pret që Kosova dhe Serbia t’i respektojnë të gjitha detyrimet e tyre që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi i arritur në Ohër dhe të fillojnë zbatimin e tyre pa vonesë”, tha Stano të premten.

Bislimi dhe Petkoviq “diskutuan çështje të shumta” të martën, tha ai

“Është e qartë se nevojiten më shumë bisedime për të gjitha çështjet në rendin e ditës për të arritur përparim”, tha zëdhënësi i BE-së, duke shtuar se palët janë pajtuar që të takohen sërish.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar që deri më 18 prill ta krijojnë një komitet të përbashkët, i cili do të monitorojë zbatimin e të gjitha dipozitave të marrëveshjes dhe do të udhëhiqet nga Bashkimi Europian.

Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak e ka pranuar se synojnë që zbatimi i marrëveshjes së arritur më 27 shkurt dhe 18 mars të përfundojë deri në fund të vitit.

Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Articles

activeBallinaLajme

Kurti: Po punojmë pa u lodhur çdo ditë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e të gjithëve

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova e rikonfirmon përkushtimin e saj...

activeBallinaLajme

Tentim vrasje në Pejë, policia jep detaje

Të shtunën pas mesnate rreth orës 01:25 ka pasur të shtëna me...

Lajme

FOTO: Katër sekrete për një fizik të jashtëzakonshëm nga Jennifer Aniston

Jennifer Aniston ka zbuluar së fundmi për mediat se çfarë gjërash bën...

Lajme

A janë të dobishme thashethemet në punë? Ja si duhet ti trajtoni bisedat me kolegët dhe të shmangni keqkuptimet mes jush

Le ta pranojmë të gjithë, thashethemet konsiderohen kripa dhe piperi i vendit...