Drejtoria e Inspeksionit e Komunës së Prishtinës ka nisur një aksion të gjerë nën asistimin edhe të policisë që ka për qëllim inspektimin, përkatësisht parandalimin e futjes në brendi të qytetit të operatorëve ndërurbanë që merren me transportin e udhëtarëve nga komunat fqinje për në Prishtinë dhe anasjelltas.
Ky aksion, sipas njoftimit të kësaj Drejtorie, do të vazhdojë edhe në ditët në vijim për shkak se “këta operatorë duke u futur në brendi të qytetit, përveç mosrespektimit të rendit të udhëtimit, të njëjtit me veprimet e tyre po e rëndojnë dukshëm edhe rrjedhën normale të trafikut në kryeqytet.
“Për këtë qëllim, Drejtoria e Inspeksionit kërkon nga të gjithë operatorët ndërurbanë që të respektojnë në mënyrë strikte vijën e qarkullimit të tyre për shkak se në të ardhmen, përveç gjobave ndaj tyre, do të iniciohen edhe procedurat e sekuestrimit të përkohshëm të mjeteve të tyre të transportit”, njoftoi Drejtoria e Inspeksionit e Komunës së Prishtinës.
Leave a comment