Fatmire Mulhaxha-Kollçaku ka reaguar për herë të parë pas shkarkimit të vëllait të saj nga Ministria e Drejtësisë që udhëheqet nga Albulena Haxhiu.
Ajo ka thënë se vëllai i saj Ilir Mulhaxha që është shkarkuar nga funksioni i Përmbaruesit Privat, nuk është pjesë e asnjë kompanie, duke thënë se ai është profesional dhe nuk ka asnjë vërejtje.
“TI ke vepruar vetëm bazuar në vendime gjyqësore, bazuar në ligjin. Ashtu siç e ke obligim TI, bazuar në profesionin që ushtron, bazuar në kompetencat që t’i ka dhënë ligji.” – ka shkruar ndër të tjera ajo.
Kujtojmë se Ilir Mulhaxha ishte supsenduar dy herë nga Ministria e Drejtësisë deri në shkarkimin e tij si përmbarues privat.
Shkrimi i saj i plotë:
E apostrofuar në postime të portaleve, e shtyer nga ngarendja e postimeve publike “zyrtare”, dhe nga fakti që heshtja nuk do të thotë pranim, por ndjekje e procedurave ligjore, me këtë rast po them:
– Ti Ilir, nuk je pjesë e asnjë kompanie. Je dikush që me profesionalizmin më të lartë, pa asnjë vërejtje, 8 vite ushtron një profesion të pavarur dhe me përgjegjësi të lartë.
Ti nuk je nënshkrues i kontratave. Nuk je TI pjesë e arbitrazheve ndërkombëtare.
Nuk ke marrë vendime TI, por Gjykatat meritore.
Nuk ke bërë TI vlerësime financiare, por eksperti i certifikuar financiar.
TI ke vepruar vetëm bazuar në vendime gjyqësore, bazuar në ligjin. Ashtu siç e ke obligim TI, bazuar në profesionin që ushtron, bazuar në kompetencat që t’i ka dhënë ligji.
Po, edhe për TY, si për të gjithë të tjerët deri tani, kërkoj #drejtësi.
JO padrejtësi të Facebook-ave.
Këtë e pres nga organet kompetente të thirrura për sjellje të drejtësisë së paanshme, për TY, si dikush që përveç ligjit, nuk ka mbështetje nga asnjë grup, politik apo i interesit.
P.s
Si deputete kam vetëm një mundësi. Kërkesen për inicim të Komisionit Hetimor Parlamentar.
Leave a comment