Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, ditë më parë e dërgoi një ‘kërcënim’ drejt Evropës. Por kjo nuk ishte hera e parë që Osmani shpërtheu ndaj përfaqësuesve evropianë. Çfarë tha ajo?
Komandantja Supreme, ka folur për paralajmërimet e presidentit të Francës, Emmanuel Macron për pezullimin e vizave nëse nuk veprohet me përgjegjësi në dialog me Serbinë. Presidentja Osmani ka thënë pezullimi i vizave e vret dialogun përgjithmonë dhe se këto masa nuk janë ndaj politikanëve por ndaj popullit të Kosovës.
“Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës”, ka thënë ndër tjera presidentja Osmani.
“Shpërthimet” tjera të presidentes Osmani
Presidentja Osmani, para Macronit kishte kritikuar rolin e Bashkimit Evropian, lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Osmani, një vit me parë, për TV Klan kishte kërkuar që Brukseli të respektojë parimin e barazisë së palëve.
“Është përshtypja ime si presidente e Republikës që BE akoma nuk ka folur me gjuhë të qartë sa i përket moszbatimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë. Serbia në praktikë vazhdon të bëjë të kundërtën e asaj që e ka nënshkruar, por BE-ja akoma nuk ka bërë thirrje publike në raport me Serbinë, ku ata janë prezent në dialog, por e shfrytëzojnë prezencën si obstruksion, pra e bllokojnë çdo marrëveshje”, tha ajo.
Osmani kishte folur edhe për kritikat e vazhdueshme të BE-së ndaj Kosovës.
“Është vetëm një marrëveshje që nuk është zbatuar sepse ka vendim të Gjykatës Kushtetuese në këtë drejtim. Bashkimi Evropian ka qenë shumë i zëshëm në këtë drejtim”, tha ajo.
Komandantja supreme, kishte reaguar furishëm edhe pas deklaratës së Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Josep Borell, i cili me 22 nëntor 2022 tha se Kosova refuzoi propozimin e BE-së, kurse Serbia e pranoi.
Osmani e kishte akuzuar Borellin për njëanshmëri.
“Rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria. Ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar. Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën”, duke postuar më pas edhe marrëveshjet e Brukselit.
Me pas, e para e vendit kishte dhënë një intervistë për “Balkan Talks” në Euronews Albania.
Ajo nuk ishte penduar për komentet e saja për diplomatin evropian, shkruan Nacionale.
“Nuk ishte shpërthim, ishte reagim parimor sepse në çdo proces dialogu ndërmjetësuesi duhet të jetë i paanshëm. Ajo që pamë atë ditë ishte anshmëri e shprehur shumë qartë nga ana e zotit Borrell ku fajësohej Kosova për dështimin e një procesi ku më së paku kishte faj Kosova”, u shpreh Osmani më pas.
Osmani një “shpërthim” të tillë e kishte edhe ndaj Miroslav Lajçakut, i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi. Lajçak kishte deklaruar se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta ndryshojnë Kushtetutën në mënyrë që Asociacioni i komunave serbe të jetësohet, meqë ajo nuk është libër fetar.
Osmani kishte kritikuar qasjen e Lajçakut, duke thënë se ai po sheh një realitet paralel nga ai që është në të vërtet në Kosovë dhe se deklaratat e tij nuk i shërbejnë normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Çfarë realitet paralel tentojë të prezantoj zotëri Lajçak unë nuk e di, dhe besoj që kështu nuk është rruga për të ecur përpara. Gjatë takimit unë kam deklaruar se duhet të respektohet kushtetua e Kosovës. Citimet e tij i shoh shumë shqetësues sepse nuk kanë fare të bëjnë me realitetin”, kishte thënë Osmani në tetor të vitit 2020.
Leave a comment