Përfaqësuesi i komunitetit shqiptar në jug të Serbisë, Shaip Kamberi, thotë se standardet që do të vendosen për komunitetin serb në Kosovë, duhet të jenë standarde për të gjitha pakicat në Ballkanin Perëndimor.
“Ne nuk mund të rrimë duarkryq dhe të shikojmë krijimin e standardeve të veçanta, që do të vlejnë për një pakicë ‘hyjnore’ në veri të Kosovës”, thotë Kamberi për rel duke iu referuar pakicës serbe.
Fundjavën e kaluar, Kamberi dhe disa përfaqësues të boshnjakëve që jetojnë në Serbi, takuan në Prishtinë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Kërkesë e tyre e përbashkët ishte që pakicat në Serbi të gëzojnë të drejta të njëjta sikurse pakica serbe në Kosovë.
Sipas një njoftimi të lëshuar nga kabineti i Kurtit, ata u shprehën të pakënaqur me pozitën e shqiptarëve dhe të boshnjakëve në Serbi, sidomos në komunat: Novi Pazar, Tutin, Sjenicë, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
“Komunitetet e ndryshme duhet të trajtohen pa dallim në kuadër të parimeve universale dhe në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Evropian”, tha Kurti.
Aktualisht, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve.
Palët kanë para vetes një plan evropian për këtë qëllim. Përmbajtja e tij nuk është bërë publike, por versioni në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, ka përfshirë, mes tjerash, një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Cilat janë kërkesat e përfaqësuesve shqiptarë në Serbi?
Kamberi, i cili është deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, thotë se kërkesa themelore e shqiptarëve është që të kenë trajtim të barabartë në shtetin ku jetojnë.
Si çështje problematike, ai përmend “pjesëmarrjen joadekuate” të shqiptarëve në punën e institucioneve shtetërore dhe arsimimin.
“Pesëmbëdhjetë breza të të rinjve shqiptarë përballen me mosnjohjen e diplomave [nga Kosova] dhe ata po ikin prej këtu”, thotë Kamberi.
REL-i pyeti Ministrinë e Arsimit të Serbisë se sa diploma të marra në Kosovë janë njohur dhe a njihen ato vetëm për vazhdim të shkollimit apo edhe për punësim, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Kamberi thotë se janë duke kërkuar edhe ato të drejta që Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës ua garantojnë minoriteteve me standardet e tyre.
Leave a comment