Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, pas përfundimit të takimit në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se kanë marrë garanci nga Bashkimi Evropian për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ai në një prononcim për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, tha se themelimi i këtij mekanizmi në Kosovë, përbën arritjen më të madhe të diplomacisë serbe që nga përfundimi i luftës së fundit në vitin 1999.
“E drejta për të formuar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe është arritja më e madhe për të cilën kemi luftuar që nga viti 1999. Kjo është arsyeja pse ne e nënshkruam Marrëveshjen e Brukselit dhe ajo që u garantua nga Bashkimi Evropian”, tha Daçiç.
Ai u bëri thirrje të gjitha partive opozitare në Serbi, siç tha ai, të mos dëmtojnë interesat kombëtare serbe, sepse presidenti Vuçiç po “lufton me të gjitha forcat” që kjo të jetë kusht themelor për çdo marrëveshje të mëtejshme, e cila “është e interes eksistencial për popullin serb të Kosovës”.
Kryeministri Kurti vazhdimisht ka deklaruar se një mekanizëm një-etnik, do ta gjymtonte funksionalitetin e Kosovës multi-etnike, duke trumbetuar kështu “minishtetin” serb në Kosovë. Ndërsa plani i propozuar franko-gjerman, që gëzon edhe mbështetjen amerikane, nuk e përfshin njohjen reciproke, sikur ngulmonte vazhdimisht Kurti.
Presidenti Vuçiç nga ana tjetër, që ende nuk ka sanksionuar Rusinë aleate për agresionin në Ukrainë, po e përdor ende politikën e jashtme “edhe me Rusinë, edhe me Perëndimin” për të fuqizuar kushtet e tij, duke përdorur edhe tërheqjen e serbëve nga të gjitha institucionet politike, juridike dhe të sigurisë në veri të Kosovës.
Serbia po e kërkon Asociacionin e Komunave me shumicë serbe si “parakusht i të gjitha parakushteve”, ndërsa Kosova potencon se ky mekanizëm shtesë për pakicën serbe në Kosovë mund të përfshihet në kuadër të propozimit evropian, pra të zbatohet pas konkludimit të saj, e assesi t’i paraprijë asaj.
Leave a comment