Mbrëmjen e 10 prillit një qytetar serb është plagosur me armë zjarri në Zveçan. Pas raportimeve të mediave serbe se në këtë plagosje ka qenë e përfshirë Policia e Kosovës, kjo e fundit ka lëshuar një komunikatë duke i demantuar këto shkrime, ndërsa pak më vonë ka njoftuar se ka suspenduar katër zyrtarë policorë. Tre prej zyrtarëve policorë nuk kishin raportuar lidhur me rastin ndërsa një tjetër dyshohet për mosraportim si dhe për përfshirje në rast. Mënyra se si policia e ka trajtuar këtë rast është kritikuar nga ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier. Kritika për këtë veprim të Policisë ka edhe ish drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.
Pas raportimeve të mediave serbe se në plagosjen e serbit, M.J. është përfshirë Policia e Kosovës, ky institucion ka deklaruar se “Policia e Kosovës nuk është përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo të gjuajtjes me armë zjarri ndaj asnjë grupi apo personi të caktuar”.
“Vlen të potencojmë dhe njëherit të sqarojmë se, Policia e Kosovës nuk është përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo të gjuajtjes me armë zjarri ndaj asnjë grupi apo personi të caktuar”, thuhej në njoftim.
Pas rreth 3 orësh, Policia ka demantuar veten. Në një komunikatë tjetër për media, PK ka njoftuar se katër zyrtarë policorë janë suspenduar pasi njëri dyshohet se është përfshirë në rast, ndërsa tre të tjerët për mosraportim të rastit.
“Bazuar në informacionet dhe dëshmitë e siguruara janë marrë masa të suspendimit ndaj zyrtarit policor, pasi i njëjti nuk kishte raportuar lidhur me rastin dhe për përfshirjen e tij në rast, nga ku PK-ja kishte lëshuar njoftim se nuk ka qenë e përfshirë në shkëmbim apo gjuajtje me armë zjarri. Po ashtu janë marrë masa të suspendimit edhe ndaj tre zyrtarëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në rast”, thuhej në njoftim.
Më pas, të katër zyrtarët policorë, me urdhër të prokurorit janë ndaluar për 48 orë. Këtë e bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Pas intervistimit nga ana e Inspektoriatit Policor dhe me vendim të prokurorit, 4 zyrtarë policor janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë me dyshimin se tre zyrtarë policorë nuk kishin raportuar lidhur me rastin dhe një zyrtar për mos raportim si dhe për përfshirjen e tij në rast. Të njëjtit gjatë ditës me rekomandim të IPK-së janë suspenduar nga PK”, shkroi Sveçla.
Kjo mënyrë e trajtimit të rastit nuk i ka pëlqyer ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier. Ai në Twitter ka shkruar se është shqetësuar për mohimin fillestar të Policisë, që sipas tij është bërë pa kujdes.
“SHBA-ja është e shqetësuar për incidentin ku një serb i Kosovës u qëllua në Zveçan mbrëmë. Zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet përkatëse duhet të bëjnë një hetim të plotë, e kredibil. Ne jemi shumë të shqetësuar nga mohimi fillestar që u bë pa kujdes. Të gjithë qytetarët duhet të kenë besim në transparencën e forcave të zbatimit të ligjit dhe sektorin e drejtësisë”, ka shkruar Hovenier.
Kritika për këtë veprim ka edhe ish drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj. Ai në një prononcim për Gazetën Express ka thënë se lëshimi i dy komunikatave të ndryshme e ka dëmtuar imazhin e Policisë.
Qalaj shton se mosraportimi i rastit nga zyrtarët policorë dhe tentimi për ta fshehur atë e ka vënë në lajthitje edhe Drejtorinë e Përgjithshme të PK-së.
Ish drejtori i Policisë, tash deputet, vlerëson se sa i përket hapave të tjerë të ndërmarrë nga Policia janë në pajtim me ligjet në fuqi.
“Unë mendoj që raportimi apo lëshimi i komunikatës nga Policia e Kosovës, fillimisht se nuk ka pasur të shtëna respektivisht Policia e Kosovës nuk ka qenë e përfshirë në këtë incident, e pastaj doli ndryshe, mendoj që e ka dëmtuar rëndë Policinë e Kosovës, e ka dëmtuar rëndë edhe shtetin e Kosovës edhe në arenën ndërkombëtare. Mendoj që është gabim i madh që fillimisht është lëshuar një komunikatë e tillë për shkak se policia së paku duhet t’i ketë të gjitha informatat dhe ka mundur që komunikata të jetë më e kujdesshme gjersa të arrihet sigurimi i fakteve në lidhje me rastin që ka ndodh. Unë kuptova që policët që janë suspenduar dhe arrestuar nuk e kanë treguar rastin, pra kanë tentuar ta fshehin dhe në një mënyrë e kanë çitë në lajthitje edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Si do që të jetë, kjo komunikatë e lëshuar nga Policia e dëmton rëndë imazhin e Kosovës. Të gjitha hapat që është duke i ndërmarrë Policia e Kosovës janë në rregull, por deklarata e parë është dashur të jetë më e matur. Nuk duhet që një institucion i sigurisë të lëshojë deklaratë e më pas ta demantojë vetën, ndërsa sa i përket hapave të tjerë mendoj janë në pajtim me ligjet në fuqi”, tha Qalaj.
Protesta e serbëve
Disa qytetarë serbë kanë protestuar afër urës së Bistricës pas plagosjes së serbit, M.J., raporton portali serb “Kossev”.
Protestuesit aktualisht po lëvizin në këmbë drejt urës së Bistricës, nga vendi i njohur si Balaban, ku kanë ardhur me automjete private por edhe në mënyrë të organizuar.
Ata po kërkojnë largimin e Policisë nga Veriu.
Në pankartat që po mbajnë serbët shkruan “Largohuni nga këtu”, “nuk i përkisni këtij vendi”, “Evropë, po shtien mbi ne”.
Leave a comment