Ideatorët e platformës “Liria Ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë ftuar të gjithë qytetarët të marrin pjesë në “Marshin për Drejtësi”, i cili do të mbahet sot nga ora 14:00.
Hoxha bëri thirrje që të gjithë së bashku të marshojnë për ata që dikur marshuan drejt lirisë.
“E vërteta e luftës së UÇK-së është e vërteta e secilit prej nesh është e vërteta e shtetit të Kosovës. Për historinë që nuk mund të rishkruhet. Ju ftojmë që me 2 Prill nga ora 14:00 të takohemi tek sheshi “Zahir Pajaziti” dhe të marshojmë drejt sheshit “Skenderbeu”, deklaroi Hoxha.
Ajo falënderoi të gjitha kategoritë e shoqërisë, të cilat e kanë mbështetur realizimin e këtij marshi dhe janë solidarizuar me ish-krerët e UÇK-së të cilët po mbahen në Hagë.
“Faleminderit të gjithëve për mbështetjen e madhe, dashninë dhe përkushtimin e secilit prej jush, veç e veç, që ne, me 2 prill, të Marshojmë të gjithë bashkë për Drejtësi. Kjo mbështetje e parezervë tregon peshën dhe nevojën për të dalë në mbrojtje të historisë tonë më të lavdishme, e cila sot është rrezikuar nga interpretime të reja. Ne besojmë në drejtësinë e paalternativë – me shpresën se asnjëherë nuk do të instrumentalizohet nga politika”, tha Hoxha.
Ndërkaq, Ismail Tasholli tha se e vërteta e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit tonë, është e vërteta e Kosovës, të cilën duhet ta mbrojmë të gjithë.
“Siç e dini, e kemi për mision e qëllim qytetar, që dinjitetin dhe të drejtën tonë ta mbrojmë me përkushtim, Në këtë rast, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, trashëgiminë e saj historike dhe luftën tonë heroike.Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të imponuar dhe të drejtë për mbrojtjen e jetës së njerëzve, pronës dhe për lirinë e vendit tonë. Këtë të vërtetë duhet ta ruajmë gjithë, sepse është një e vërtetë e çdonjërit. Është e vërteta e Kosovës së djeshme, e të sotmes dhe e Kosovës të së nesërmes”, u shpreh ai.
Leave a comment