Bajram Zylfiu, i mbijetuari i masakrës së Krushës së Vogël, së bashku me banorë të këtij fshati, e kanë vizituar babain e ish-presidentit Thaçi në Burojë.
Forcat serbe natën e 25 marsit 1999 kishin grumbulluar banorët e fshatit dhe më pas i kishin ndarë burrat dhe gratë.
113 burra ishin dërguar me duar mbrapa kokës në një shtëpi në Krushë të Vogël. Aty të mbështetur për mur, siç kishte rrëfyer Bajram Zylfiu për Kallxo.com, një pjesëtar i forcave serbe kishte gjuajtur në drejtim të tyre me mitraloz fillimisht e pastaj me automatik.
Zylfiu kishte treguar se kur kishin filluar gjuajtjet, mbi të ishte rrëzuar njëri banor i vrarë dhe nuk ishte vënë re se ai kishte mbetur gjallë.
Pas kësaj, Zylfiu kishte arritur të ikë nga ajo shtëpi për t’u fshehur në male për disa ditë me radhë, pa bukë dhe pa ujë.
Bajram Zylfiu është njëri nga gjashtë të mbijetuarit e masakrës së Krushës së Vogël, në të cilën forcat serbe kishin vrarë mbi 100 qytetarë në marsin e vitit 1999.
Leave a comment