Enver Hasani Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhëniëve Ndërkombëtare në një intervistë me shkrim për Gazetën Express ka folur rreth dakordimit të Kryeministrit Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq për të Zhdukurit. Hasani insiston që problemi i kësaj deklarate nuk është “emërtimi i viktimave të zhdukura me dhunë, por te rezervat në Nenin 2 të Konventës për të zhdukurit me dhunë”, që i ka shprehur Vuçiq në emër të Serbisë.
Hasani kritikon kryeministrin që në bazë të kësaj deklarate ka marrë zotimin për hapjen në mënyrë institucionale të provave materiale për të zhdukurit. “Del që jemi të barbartë me Serbinë në zhdukjen e civilëve gjatë luftës në Kosovë. Kjo është absurd” thotë prerazi ai.
“Deklarata e Përbashkët për Personat e Zhdukur me Dhunë, e dakorduar nga Kryeministri i Kosovës dhe ai i Serbisë ka nxitur polemika të shumta në publikun kosovar. Ju e keni cilësuar këtë dakordim për këtë deklaratë si një gabim serioz nga ana e kryeministrit Kurti, sepse ju konkludoni se kjo deklaratë në njëfar forme e shfajëson aparatin shtetëror serb dhe problemin e përsonave të zhdukur e ridefinon si një problem të dyanshëm?
E. Hasani: Problemi me Deklaratën e Përbashkët për Personat e Zhdukur me Dhunë qëndron në rezervën që Vuçiq e ka vënë në atë Deklaratë në emër të shtetit të tij. Kjo ka të bëj me nenin 2 të Konventës Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur me Dhunë të vitit 2010. Sipas këtij neni, nenit 2, shteti përgjigjet nëse privon nga liria dikend dhunshëm dhe e zhdukë përmes agjentëve të vetë ose personat tjerë të autorizuar. Sikur Serbia mos ta kishte vënë rezervën në fjalë në këtë nen, duke thënë se personat e zhdukur në Deklaratën e Përbashkët nuk janë në kuptimin juridik sipas kësaj Konvente, atëherë Serbia do të kishte qenë përgjegjëse ndërkombëtarisht për kompensim të viktimave të zhdukura me dhunë në Kosovë (1998-1999). Me këtë rezervë, Vuçiq ka arritur të barazoj zhdukjet e serbëve lokalë dhe të joshqiptarëve të tjerë me zhdukjet e dhunshme që i ka bërë Shteti serb në mënyrë të planifikuar dhe sistematike ndaj shqiptarëve. Kjo është esenca e problemit, pra rezerva që Vuçiq e ka bërë në Deklaratën e Përbashkës sa i përket zbatimit të Konventës Ndërkombëtare për të Zhdukurit me Dhunë në luftën e Kosovës (1998-1999).
Cili është dallimin mes personave të zhdukur me dhunë dhe personave të zhdukur me forcë?
E.Hasani: Nuk ka lidhje me dallimin mes personave të zhdukur me dhunë dhe personave të zhdukur me forcë. Dallimi qëndron në rezervën e Vuçiqit, që thotë se Deklarata nuk bazohet në nenin 2 të Konventës për të Zhdukurit me Dhunë!
Pse është kaq i rëndësishëm ky nen i Konventës për të Zhdukurit me Dhunë?
E. Hasani: Janë dy arsye për këtë. E para; sepse në rreshtat e këtij neni ankorohet përshkrimi i veprimeve fajësuese për shtetet, të cilat përshkrime përbëjnë elementet e përgjegjësisë ndërkomëtare të shteteve për shkeljen e të drejtës ndërkombëtare humanitare, që dikur është quajtur e drejta e luftës.
E dyta; në përshkrimin e përgjegjësisë ndërkombëtare të shtetit për zhdukjen me dhunë, që përbën krim kundër njerëzimit, esenciale është që zhdukjet e dhunshme të jenë kryer nga shteti dhe agjentët apo zyrtarët e tij si dhe personat që kanë vepruar me autorizim të tyre. Këtu, pra, nuk ka rëndësi termi zhdukje me dhune ose zhdukje me forcë por nëse zhdukja e individëve është bërë nga shteti dhe agjentët ose zyrtarët e tij dhe personat e autorizuar nga ta.
Sipas jush, si do të duhej të vepronte kryeministri Kurti në këtë rast dhe ajo që është më e rëndësishme, si do të procedohet tutje pas këtij dakordimi mes palëve?
E.Hasani: Zoti Kurti është dashur të mos pranoj rezervën e Vuçiqit dhe të insistojë në standardet ndrëkombëtare mbi përgjegjësinë e shteteve sovrane dhe të pavarura për zhdukjen me dhunë të njerëzve, që kryhet nga shteti dhe agjentët e tij ose personat e autorizuar nga ta.
Nëse nisemi nga perspektiva e familjarëve të të zhdukurve, ka që kanë pohuar se kjo megjithatë i hapë rrugë mundësisë së qasjes në dokumentat dhe arkivat serbe ku mund të mësohet e vërteta për familjarët e tyre?
E. Hasani: Nuk është kjo çështje private e familjarëve të viktimave të zhdukura me dhunë, por e Shtetit të Kosovës. Shtetit të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare. Kjo e fundit duhet ta detyroj Serbinë t’i hap krejt provat materiale të krimeve të kryera dhe vendndodhjen e trupave të viktimave shqiptare të zhdukur me dhunë. Familjarët nuk mund të bëjnë asgjë vetëm në Serbi, por vetëm përmes Shtetit të Kosovës dhe garantuesve të marrëveshjes mes dy vendeve.
Për të vazhduar dialogu tutje bashkesia ndërkombëtare kërkon që duhet të formohet “Asiciacioni…”. A mundet në të ardhmen që ky proces për të zhdukurit të implikoj edhe probleme tjera, për shembull: Republika e Kosovës nuk është e gatshme dhe as nuk e ka mundësin që t’i dal zot këtij dakordimi nē ofrimin e dokumentacionit për të zhdukurit që pretendohet se i ka kryer pala kosovare?
E. Hasani: Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe dhe të zhdukurit me dhunë janë çështje të ndara.
Sipas zotimit që ka marrë Kosova, për hapjen në mënyrë institucionale të provave materiale për të zhdukurit, del që jemi të barbartë me Serbinë në zhdukjen e civilëve gjatë luftës në Kosovë. Kjo është absurd! Nuk mund të realizohet! Edhe sikur Kosova të ofroj arkivat e UNMIK-ut dhe EULEX-it, nëse i ka, një gjë e tillë nuk është detyrim i Kosovës siç është rasti me Serbinë dhe arkivat e saj. Kjo për faktin e thjeshtë se, në aspektin e të drejtës ndërkombëtare, Kosova nuk ka trashëguar UNMIK-un dhe EULEX-it, as OKB-në dhe as BE-në. Serbia ndërkaq është ndërkombëtarisht e njëjtë me Serbinë që ka kryer krime e zhdukjet masive me dhunë gjatë viteve 1998-1999. E thënë shkurt: Kosova nuk mund të ketë arkiva për asnjë send që lidhet me luftën sepse nuk ka qenë fare shtet sipas të drejtës ndërkombëtare. Kosova ka përgjegjësi ndërkombëtare veç për zotimet që ka marrë nga shpallja e pavarësisë e deri më sot.
Këto që ju i thoni rreth kësaj teme a janë intrpretime tuaja apo ju i mbështetni diku ato, sepse përfaqsuesit e pushtetit këto qëndrime tuaja po i cilësojnë si interpretime tuaja?
E. Hasani: Këto që thash nuk janë interpretime të mia, por fakte të së drejtës ndërkombëtare publike që askush nuk mund t’i mohojë.
Leave a comment